Pavarësisht zërave se Volkswagen mund të shesë disa nga brendet e tij të automobilave luksozë, në mënyrë që të kompensojë shpenzimet për shkak të aferës dizel, nga gjiganti gjerman demantojnë spekulime të tilla.
Shefi i të gjitha brendeve premium që veprojnë në kuadër të grupit Volkswagen, Oliver Blume, nuk ka plane për shitjen e markave luksoze Bentley dhe Bugatti. Blume, i cili po ashtu është shef i Porsche, tha për Reuters se në përgjithësi nuk është duke u shikuar një mundësi e tillë.
“Nuk planifikojmë të shesim asnjërin nga auto-brendet tona”, ka thënë ai, duke shtuar se duke iu falënderuar bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet markave Porsche dhe Bentley është arritur kursim vjetor prej më shumë se 100 milionë euro, transmeton KosovaPress.