Thomas Tuchel ka zbuluar se Bayern Munichu kishte tentuar ta emëronte atë trajner pak para se ai t’i bashkohej Paris Saint-Germainit në fillim të këtij viti. Tuchel thotë se Bayerni u vonua, pasi ai tashmë e kishte ndarë mendjen për t’u larguar nga kampionati gjerman.
Ish-trajneri i Borussia Dortmundit pushoi një vit pasi u largua nga “Signal Iduna Park”, dhe iu rikthye futbollit në maj të 2018 kur nënshkroi kontratë dyvjeçare me PSG-në, transmeton Express.
45-vjeçari ka vendosur rekord të ri të klubit parisien pasi i ka fituar të gjitha gjashtë ndeshjet e para në Ligë 1.
Tuchel ka thënë për L’Equipe se oferta e Bayern Munichut kishte ardhur tepër vonë.
“Me Bayernin kam pasur vetëm kontakte”, tha ai.
“Oferta e tyre erdhi shumë vonë, sepse unë tashmë kisha vendosur t’i bashkohem PSG-së”, tregoi ai.
“Zgjedhja ime pas largimit nga Dortmundi ishte shumë e qartë, ishte diçka që vinte thellë nga brenda, nëse jam me fat të kem një eksperiencë jashtë vendit, më duhet të provoj. Ishte e qartë për mua, familje dhe stafin tim. Parisi është i veçantë dhe ishte befasi e bukur”, theksoi ai. /Express/