Shkruan: Rrahman Paçarizi
Komisia Letrare e Shkodrës ishte sajesë politike e kohës, por u bë qark linguistik për fatin e mirë të shqiptarëve. Ata e kishin një shembull të mirë për ta ndjekë – Kongresin e Manastirit. Arritja më e madhe e Kongresit të Manastirit ishte një alfabet e përbashkët i shqipes dhe që shkornjat të ishin latine. Kaq mjaftonte. Pra, ALFABETET E KOHËS U LANË NË GARË TË LIRË. Shqipja sot ka mundësi me e ndjekë këtë shembull. Norma aktuale e shqipes, nëse ende ka pretendime me qenë standard, me u standardizu duhet me e futë paskajoren gege dhe pjesoren e shkurtuar… Nëse shqiptarët i duan le t’i përdorin, nëse jo, i kanë format alternative që i jep standardi
Sali Berisha paska thënë se “standardi ’72 duhet me ndryshue”. Po duket pak si kofini pas të vjelave. Po e akuzojmë se standardi ishte veç 20 vjeç kur Berisha u vu në krye të shtetit shqiptar dhe ka pasë mundësi me ndihmu ndryshimin, ndërrimin, rishikimin, korrigjimin. Po, ne kemi të drejtë me e akuzu Berishën për këto. Por (e gjithmonë ka një por) Sali Berisha bashkë me studentët e pedagogët e Dhjetorit të Demokracisë kishin një detyrë tjetër – ndryshimin e sistemit shoqëror në Shqipëri.
Atë punë e bënë. Sali Berisha dhe bashkëmendimtarët e tij nuk kanë guxu të bëjnë ndryshime kaq radikale siç është puna e ndryshimit të bazës dialektore të shqipes. Kjo do të kishte shkaktu ndarje aq të thella në Shqipërinë e atëhershme, sa do të rrezikohej qenia e shtetit. Nuk vlente barra sa qiraja. Shqipëria e asaj kohe nuk ishte e përgatitur për çfarëdo prekjeje të norëmës së përcaktuar më 1972, pa çka se ishte një Kongres ideologjik, pa çka se drejtshkrimi nuk kishte bë zgjidhjet më të mira të mundshme, pa çka se norma çalonte e çalon fort e keq. Çfarëdo ndryshimi i normës së shqipes, në kohën kur në Shqipëri kishte ndryshu vetëm sistemi dhe asgjë tjetër, do të ishte revolucion.
Revolucionet janë ideologjike, janë eufori – aty ska vend për shkencë e zgjidhje shkencore, në revolucione s’ka vend për arsye e arsyetime, s’ka vend për argumentime. Një zgjidhje e keqe do të zëvendësohej a përmbysej nga një zgjidhje e keqe. Shumë vjet më pas, para pesë a gjashtë vjetësh Sali Berisha pati dërgu sinjale se mund të bëheshin ndryshime, jo me paragjykim, por të studiuara, pra, do të mund të bëhej rishikimi i normës. Nga Prishtina pati marrë sinjale pozitive. Unë isha një nga pesonazhet. Nuk e di çka ndodhi pastaj. Në zgjedhjet e radhës ai e humbi pushtetin. Lafe & co. Kërkuan ndihmën e Ramës për ta mbrojtë standardin nga ne që po e prishnim. Lafe, partizani i Kostallarit e Enver Hoxhës kërkonte edhe një herë nga politika që ta mbronte standardin. Ai besonte se Rama ishte pasues i Enver Hoxhës dhe do t’i përndiqte plangprishësit.
Lafe e kishte fort gabim. Berisha e kishte të qartë se situata në Shqipëri kishte ndryshu fort në këtë plan. Enver Hoxha nuk ishte me gjallë, ndaj Lafe&co. Nuk e kishin fuqinë që e kishin pasë. Në Tiranë kishte shpërthy një brez linguistësh modernë, që ndiqnin parimet e gjuhësisë deskriptive, parimet e sociolinguistikës, psikolinguistikës…
Edhe partizanët e Kosovës po i bënin shpurdhjet e fundit. Këta e kishin vra shqipen duke mos e kuptu. E kishin vra nga padija. E kishin vra nga inferioriteti. Besonin se gjuhësia ishte korrekturë a lekturë gazete. E di që e duan shqipen, por nuk dijnë me e deshtë. Janë si disa njerëz që aq shumë gulçojnë në dashurinë ndaj fëmijëve sa i kafshojnë, u shkaktojnë dhimbje.
Berisha kishte të drejtë kur çoi sinjale, por nuk ishte mjaft i guximshëm ose mjaft i sinqertë. Pati frikë se mos humbte elektorat dhe kalkuloi në dëm të ndryshimeve. Kur them ndryshime i shoh si mundësi dhe nuk i paragjykoj.
Tani, kur gjendja e studimeve të shqipes në Kosovë e në Shqipëri është në nivele të tjera dhe matet me të tjerë parametra, shoqëritë shqiptare andej e këndej kufirit duhet me nisë me e deshtë shqipen e jo veç ndonjërin dialekt të saj. Nuk po e zbuloj ujin e nxehtë. Sivjet është 100 vjetori i Komisisë Letrare Shqipe të Shkodrës, ku personalitetet e fuqishme shkodrane hoqën dorë nga shkodranishtja e i lanë udhë elbasanishtes që ishte më afër me toskërishten. Tekefundit gegnishtja e toskërishtja s’kanë aq dallime sa janë tekanjozë folësit e tyre. Komisia Letrare e Shkodrës ishte sajesë politike e kohës, por u bë qark linguistik për fatin e mirë të shqiptarëve. Ata e kishin një shembull të mirë për ta ndjekë – Kongresin e Manastirit. Arritja më e madhe e Kongresit të Manastirit ishte një alfabet e përbashkët i shqipes dhe që shkornjat të ishin latine. Kaq mjaftonte. Pra, ALFABETET E KOHËS U LANË NË GARË TË LIRË. Shqipja sot ka mundësi me e ndjekë këtë shembull. Norma aktuale e shqipes, nëse ende ka pretendime me qenë standard, me u standardizu duhet me e futë paskajoren gege dhe pjesoren e shkurtuar ne gaë të lirë. Nëse shqiptarët i duan le t’i përdorin, nëse jo, i kanë format alternative që i jep standardi.