Opinione

Shqipëria Pablo Escobariane dhe Kosova Don Vito Corleoneiane

Shkrun: Ardian Haxhaj

Kriminelët, zhvatësit, trafikantët, dhunuesit e vrasësit, nuk janë aty ku duhej të ishin, në burg ose në arrati, por janë në parlament e qeveri, si në Kosovë, si në Shqipëri. E në syrin e ndërkombëtarëve nëpër takime, konferenca a panele të ndryshme rrahagjoksit që mundohen të shesin protagonizëm, janë vetëm kapo të Shqipërisë Pablo Escobar-iane dhe Kosovës Don Vito Corleoneiane

Forca dhe serioziteti i një shteti matet me statistika, gjithçka tjetër i mbetet deklarimeve boshe, dëshirave për protagonizëm, britmave, glorifikimeve e mohimeve nga të gjitha palët e të gjitha anët. Dhe statistikat zbërthehen shumë lehtë, paraprakisht, pa kurrfarë emocionesh, në të gjitha takimet e udhëheqësve institucionalë të një vendi me një vend tjetër. Pikërisht këto statistika që lexohen që nga Bruto Produkti Vendor për kokë banori e deri tek organizimi i forcave të sigurisë e kanë peshën e vet kur deklarohet udhëheqësi i një shteti në një forum ose takim rajonal, apo ndërkombëtar. Bruto Produkti Vendor është letërnjoftimi dhe CV-ja e secilit udhëheqës të një shteti, karshi të tjerëve. Edhe pse duket makiaveliste, por kështu daton historiku i marrëdhënieve të shteteve të forta e të dobëta që nga antikiteti e deri më sot. Secili president apo kryeministër i një vendi peshon aq sa peshon Bruto Produkti Vendor për kokë banori i shtetit që e përfaqëson.

Sfiladat e udhëheqësve shtetërorë të Shqipërisë dhe të Kosovës për të bërë protagonizëm dhe gjoja të fortët për konsum të brendshëm dhe të jashtëm janë karagjozllëqe, ndërkohë që ata i përfaqësojnë shtetet më të dobëta, më të varfra, më të korruptuara dhe më të pasigurta për investime në Ballkan dhe në Evropë, e ku akterë kryesorë të krimit janë pikërisht vetë ata. Kompleksi i inferioritetit që e kanë udhëheqësit shtetërorë të Shqipërisë dhe të Kosovës karshi udhëheqësve të vendeve të rajonit dhe të Evropës, për të cilët statistikat kokëforta flasin për shtete me mirëqenie të lartë, sundim të ligjit dhe demokracisë, bën që ata të shfaqen herë si engjëj të përshpirtshëm që nuk e shkelin as mizën, herë si gjela që kukurisin në maje të plehut, herë si Shën Tereza që do ta meritonin edhe Nobelin për Paqe, e herë si intelektualë kozmopolitë. Pa dyshim se CV-të e udhëheqësve shtetërorë të Shqipërisë dhe të Kosovës i kanë para vetes akterët rajonalë dhe ndërkombëtarë dhe të bërit protagonizëm të tyre kuptohet si palaçollëk.

Këto statistika e përcaktojnë edhe pozicionin e një apo më shumë shteteve karshi synimeve, projekteve apo strategjive shtetërore, apo edhe nacionale të njërës, apo tjetrës palë. E si shikohet sot Shqipëria nga shtetet e rajonit dhe më gjerë? Nuk ka dyshim, statistikat publike tregojnë se: Shqipëria është një shtet i dobët, madje tejet i dobët, në pikëpamje ekonomike dhe ushtarake. Një shtet ku krejt debatin dhe energjinë i shpenzon në luftën e brendshme ndërmjet dy partive më të mëdha në vend, sa herë që vjen në pushtet njëra parti i uzurpon të gjitha të mirat materiale të shtetit, duke e lënë pjesën tjetër në rrugë dhe anasjelltas. Një shtet ku qytetarët e dëshpëruar nga varfëria dhe krimi politik mbjellin narkotikë edhe në saksitë e luleve nëpër dritaret e pallateve në kryeqytet. Një shtet ku psikoza kolektive e të mbjellit bimë narkotike ende nuk ka mbërritur vetëm edhe në një vend, në “Sheshin Skënderbeu”. Një shtet ku varfëria, mjerimi dhe dëshpërimi janë moto e pandashme e shumicës së qytetarëve të tij. Një shtet ku rinia e ka ëndërr vetëm migrimin, qoftë edhe në Greqi, pa çka që i ndërrojnë emrat, mbiemrat, besimet, nacionalitetet, vetëm e vetëm për të bërë një jetë më të mirë se në atdheun e tyre. Një vend që iniciativa dhe direktiva për fillimin e sundimi të ligjit duhet të merret nga një ambasador i një shteti mik dhe sponsorizues. Një vend që…

E për shtetin e Kosovës çka tregojnë statistikat publike? Një shtet tejet i brishtë në arenën ndërkombëtare. Një shtet me çështje politike të pazgjidhura ende me shtetin fqinj Serbinë dhe i kontestuar nga ky i fundit. Një shtet që për shkak të mosfunksionimit të rendit dhe ligjit e quajnë të dështuar edhe disa shtete sponsorizuese të pavarësisë të Kosovës. Një shtet i varfër dhe i kapur nga një klasë politike brutale kriminale, që si shushunja i gërryejnë gjitha të mirat materiale të 1.7 milionë qytetarëve dhe që të gjitha institucionet i kanë shndërruar në lopë mjelëse për ta dhe familjet e tyre. Një shtet me polaritete të mëdha brendapolitike, ku sundimi i ligjit është vetëm nocion. Një vend që pa praninë ndërkombëtare mossundimi i ligjit do të shndërrohej në rikthim të Kanunit, madje de facto vetëm me Kanun mund të ndash drejtësi. Një vend që korrupsioni është i epidemi gjithëpërfshirëse. Një vend që për shkallën e lartë të korrupsionit renditet në listat e vendeve më të korruptuara në botë, si në Afrikë e Azi. Një vend që hierarkia e vlerave profesionale e morale është e përmbysur deri në atë shkallë aq sa, sa më kriminel që të jesh, aq më lartë mbërrin në hierarkinë shtetërore. Një vend që…

Për të dy shtetet tona statistikat publike tregojnë se: kriminelët, zhvatësit, trafikantët, dhunuesit e vrasësit, nuk janë aty ku duhej të ishin, në burg ose në arrati, por janë në parlament e qeveri, si në Kosovë, si në Shqipëri. E në syrin e ndërkombëtarëve nëpër takime, konferenca a panele të ndryshme rrahagjoksit që mundohen të shesin protagonizëm, janë vetëm kapo të Shqipërisë Pablo Escobar-iane dhe Kosovës Don Vito Corleone-iane.