Sport

Reagimi i Mourinhos pasi legjenda e Unitedit e akuzoi atë se po e turpëron klubin

Jose Mourinho ka refuzuar të përgjigjet ndaj kritikave të legjendës së Manchester Unitedit, Paul Schools, ndaj tij, pasi skuadra e tij dështoi sërish të fitojë duke barazuar pa gola në shtëpi ndaj Valencias në Ligën e Kampionëve të martën.

Trajneri portugez për herë të parë në karrierën e tij nuk arriti të shënojë fitore në asnjërën prej katër ndeshjeve të fundit, duke e regjistruar edhe një rezultat tjetër të dobët në një javë të vështirë për të.

Duke folur para ndeshjes së mbrëmshme, Scholes – një kritik i ashpër i Mourinhos – pohoi se trajneri i Unitedit po e turpëron klubin dhe se është më fat që nuk është shkarkuar deri tani.

Pas ndeshjes, gazetarët e pyeten Mourinhon se cili ishte reagimi i tij pas komenteve të Scholes, portugezi u përgjigj: “Nuk më intereson kjo gjë, nuk kam nevojë ta di çfarë ka thënë Scholes. Ai ka të drejtë të shprehet si gjithë të tjerët, njëlloj si tifozët që brohoriten në pjesën e dytë ‘sulmoni, sulmoni’”.

“Njerëzit mund të thonë çfarë të duan, veçanërisht përkrahësit e Manchester Unitedit, sepse unë i respektoj mendimet e tyre”, shtoi ai.

Unitedi ka barazuar në shtëpi ndaj Valencias dhe Wolves, ka humbur në udhëtim ndaj West Hamit dhe është eliminuar nga Carabao Cup. /Express/

the authorE B