Opinione

Përgjimet

Lulzim Tafa

Njëra ndër temat më të përfolura në publik, kohët e fundit, pa dyshim se janë përgjimet.

Po, çfarë në realitet janë përgjimet, sa janë të mbrojtur qytetarët me ligj, sa janë të informuar dhe sa janë të mbrojtur realisht ?

Dispozitat e Kodit të procedurës penale në kapitullin e XXIX: ,,Masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit”, me dymbëdhjetë nene (nga neni 256 deri 268), si dhe, me dhjetëra paragrafë e rregullojnë në mënyrë të qartë çështjen e përgjimit, incizimeve, fotografimit dhe masave të tjera të fshehta, të cilat në bazë të legjislacionit penal të Kosovë dhe të shumicës së vendeve me legjislacione penale moderne e rregullojnë këtë çështje.

Këto ligje bëhen për dy arsye:
Që askush të mos abuzohet nga këto masa, të sigurohet mbrojtje efikase juridiko-penale e mbrojtjes së privatësisë së qytetarëve, por në anën tjetër është siguruar që për çështje hetimore në raste të përcaktuara me ligj edhe mund të bëhen sipas asaj që është përcaktuar me Kodin e procedurës penale.

Në të kundërtën përgjimet, fotografimet, cenimet e bazës së të dhënave apo korrespodencës së letrave, qoftë të kopjeve fizike apo të e-mailave në mënyrë të paautorizuara janë Vepra Penale, dhe kryesit e këtyre veprave penale përgjigjen, apo së paku duhet të përgjigjen penalisht për këto lloje të veprave penale, që e cenojnë jetën private të qytetarëve.

Tani, kur është shumë në modë dhe flitet kaq shumë për këto përgjime dhe njerëzit shprehin frikën e arsyeshme se privatësia e tyre mund të cenohet me anë të këtyre përgjimeve, incizimeve, fotografimeve apo veprimeve të tjera të ngjashme, është mirë që qytetarët ta njohin së paku infrastrukturën ligjore e cila i mbron ata nga këto abuzime.

Kuptohet se askush nuk ka të drejtë t’i bëjë këto përgjime, përveç organeve shtetërore, që i përcakton ligji. Ato i kanë pajisjet më të cilat mund të bëhet ky përgjim apo vëzhgim vetëm kur ekziston dyshimi i bazuar, se personi ndaj të cilit zbatohen masat e fshehta të vëzhgimit apo përgjimit, është i përfshirë në aktivitete kriminale dhe masat e fshehta do ta ndihmonin provimin e fajësisë për të dyshuarin, si dhe ndriçimin e shumë aktiviteteve tjera kriminale.

Fatkeqësisht, pajisjet e përgjimit, fotografimit dhe incizimit ndodhen edhe në dorë të qytetarëve si aparate, përgjues, incizues, por edhe si programe të caktuara kompjuterike që i njohin mirë hakerët, dhe sidomos krakerat, që mund të bëjnë edhe incizimin e paautorizuar, madje edhe të bisedave telefonike, të cilat më vonë edhe mund të përdoren për t’i shantazhuar viktimat e këtij përgjimi apo vëzhgimi.

Tani kur kryeprotagonisti botëror i publikimeve Asange tronditi botën me publikimet e veta të paautorizuara, na bënë të mendojmë më shumë, pasi “viktima” të këtyre përgjimeve më nuk janë vetëm qytetarët, por edhe vetë organet e shtetit, dhe bartësit e këtyre organeve (edhe pse përgjimet, kuptohet, nuk janë diçka shume e re), ato e kanë zanafillën e vetë shumë më herët, sidomos në kohën e luftës së ftohtë.

Se sa ligjdhënësit në gjithë botën, e edhe në vendin tonë, i kushtojnë rëndësi çështjes së ruajtjes së privatësisë fletë faktin se me legjislacionet e të gjitha vendeve të botës është siguruar një mbrojtje juridiko – penale e ruajtjes së kësaj privatësie.

Kodi Penal i Kosovës me nenin 170 e në grupin e Veprave Penale kundër lirive dhe të drejtave të njeriut ka paraparë si vepër penale “përgjimin dhe incizimin tonik të paautorizuar”, dhe ka paraparë dënimin deri në dy vjet burgim për kryesit e kësaj vepre penale.

Pra mund të themi se vendi ynë me këto ligje ka siguruar një mbrojtje solide juridike-penale sa i përket ndalimit të përgjimit dhe masave të tjera të cilët e dëmtojnë jetën private të qytetarëve tanë.

Problematika qëndron te çështja se si të eliminohet frika e qytetarëve, që ata të ndihen të sigurt, sidomos pjesa që i takon jetës së tyre private, sepse kjo e drejtë e tyre është e sanksionuar me ligj, dhe ata do të duhet të ndiheshin të sigurt.

S’ka dyshim se një dozë e madhe e pasigurisë së qytetarëve është shtuar pas deklaratës së publikuar edhe në media e Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës se telefoni i tij dhe i Kryeministrit po përgjohen !
Nuk jam i sigurt nëse ai këtë deklaratë përpara se ta jepte për publikun e ka dhënë aty ku duhet, sepse ata që e kanë përgjuar nëse nuk e kanë zbatuar ligjin, do të duhet që të përgjigjen para ligjit, dhe se deklarata publike, nëse nuk është dhënë më herët te organet përkatëse edhe mund t’i dëmtojë hetimet.

Pra ligji ekziston, madje një ligj shumë i mirë, por duhet vëmendje shumë më e shtuar, sidomos e prokurorëve ( pasi që, sipas ligjit ata janë udhëheqës të hetimeve), si dhe e gjyqtarëve të procedurës paraprake, që të kontrollojnë punën e hetuesve dhe të jenë më dorështrënguar kur i aprovojnë apo i japin masat e tilla në mënyrë që edhe hetuesit të djersiten deri sa të arrijnë t’i bindin personat kompetentë për të lëshuar urdhrin për masat e fshehta të vëzhgimit dhe përgjimit.

Sa është kjo dukuri e theksuar, unë nuk e di saktësisht, por e di saktësisht që qytetarët janë të frikësuar, dhe kur qytetarët janë të frikësuar se dikush po i përgjon, saktësisht e di që edhe demokracia është në rrezik, e para së gjithash më e rrezikuara është liria.