(Një klithmë në veshin tënd)
Lulzim Tafa
…Sikur nga damarët e njerëzve të rridhte naftë e jo gjak, bota nuk do të kishte lejuar kurrë të behej luftë…
Kështu, afërsisht, thuhej në vargjet e Bllaga Dimitroves, kuptohet, nëse jam në rregull me kujtesën time ngase, poezitë e saj i kam lexuar para më shumë se një dekade, e sjell në shqip me një përkthim brilant nga Poeti Agim Vinca . Bllaga Dimitrova ishte një poete e shquar bullgare, ishte angazhuar pak kohë edhe në politikë, në mos gabofsha ishte edhe nënpresidente e Bullgarisë postkomuniste menjëherë pas rënies së diktaturës në Bullgari. Poetja, tanimë e ndjerë, këto vargje do t’i ketë shkruar pikërisht sa ishte e angazhuar në politikë. Sa mirë që as politika nuk kishte arritur ta dehumanizonte shpirtin e saj prej njeriu e poeti.
Mirëpo, kështu nuk kishte ndodhë me një poet tjetër të Ballkanit. Ndokush edhe mund të mos e di se lideri i serbëve të Bosnjës në kohën e luftës së tmerrshme në Bosnje, Radovan Karaxhiq ishte poet, por që u bë njëri ndër kriminelët më të mëdhenj të luftës në Ballkan.
Poetët dhe shkrimtarët e Ballkanit shpeshherë i kanë fryrë zjarrit të luftës. Në një mënyrë ose në një tjetër, këtë qasje ua kanë mundësuar edhe lexuesit e tyre, duke i aprovuar ata dhe duartrokitur për çfarë shkruanin ata. Do të ishte shumë normale sikur këta shkrimtarë të ishin nacionalistë në kuptimin pozitiv të fjalës, sepse në fund të fundit përfaqësonin letërsitë nacionale, por në asnjë mënyrë nuk u takonte të ishin luftënxitës e shovinist. E keqja është se shumë shkrimtarë të Ballkanit u bënë edhe frymëzues të luftërave, nuk lëshuan as më të voglën thirrje për paqe. Shumë shkrimtarë të Ballkanit kanë përgjegjësi për luftërat dhe masakrat e tmerrshme që ndodhën, sepse në vend që të ishin zëra të arsyes, dashurisë, dhe zëra të paqes, ata u bënë trumbeta të luftës dhe të dhunës në këto shtete.
Ndodhi Bosnja, gjymtyrët e njerëzve në tezgat e pazarit të Sarajevës, ndodhi Srebrenica, masakra më e madhe ndaj civilëve pas luftës së dytë botërore, ndodhi edhe Kosova, Recaku, Izbica, Pokleku, ndodhi edhe Korisha, keq që ndodhi edhe Gracka e vjetër. U derdhë shumë gjak në këto lufta e konflikte të pakuptimta.
E vërteta është se historikisht është dëshmuar se luftërat gjithmonë kanë pasur përkrahje edhe nga një pjesë e mirë e shtresës intelektuale, ku bëjnë pjesë edhe shkrimtarët. Nuk mund të thuhet se Hitleri e bëri i vetëm luftën. Dihen botërisht përkrahësit e tij nga radhët e intelektualëve, respektivisht shkrimtarëve, as Musolini por as Millosheviqi, madje ky i fundit merrte inspirim edhe ndonjë shkrimtarë si Dobrica Qosiq, dhe kishte në krah pikërisht poetin Radovan Karaxhiq. Radovan Karaxhiqi i cili për baba ideologjik e artistik kishte Ivo Andriqin, po ashtu, një shkrimtar serb nga Bosnja, që me “Most na Drini” apo “Ura mbi Drin” kishte fituar çmimin Nobel për letërsi. Millosheviqi në fushatat e tij kriminale merrte frymëzim edhe nga Kisha Ortodokse Serbe. Kjo është paradoks në vete. Nuk ka nevojë të jesh klerik e ta kuptosh që asnjë libër i shenjtë nuk thotë ta vrasësh njeriun, madje edhe lufta ka rregulla. Të gjithë dimë të lexojmë e dimë çfarë thotë feja për vrasjen, çfarë thonë librat e shenjtë, çfarë thotë Bibla e Kurani, madje ky i fundit thotë qartë “ta vrasësh një njeri është si ta vrasësh gjithë botën”, madje shumë nga ajo që thotë ky libër i shenjtë për luftën e gjeni edhe në konventën e Gjenevës.
Dy dekada po bëhen nga mbarimi i luftërave në Ballkan e rrëfimet për këto luftëra tani tregohen lehtë si përralla, e si tregime që tregojnë ngjarje të largëta e jashtë realitetit, sado që shumë njerëz të pafajshëm i vuajtën dhe vazhdojnë t’i vuajnë edhe sot pasojat e asaj lufte.
Këto kohë njerëzimi i hutuar po i shikon ngjarjet në Siri, siç shikon Irakun e Afganistanin, po shikon Stambollin, po shikon Parisin siç shikon 11 shtatorin, po shikon Brukselin etj. etj., e siç duket do të shikojë edhe shumë e shumë tjera.
Ata që i’a kanë “vnue synin” luftës i kanë rënë në fije, së pari luftën e tyre e shpallin të shejtë e pastaj vazhdojnë. Në një botë normale këto lufta nuk kanë kuptim ose, në rastin më kriminal dikush përfiton prej saj, andaj edhe i fryn zjarrit. Për botëkuptimin e tyre djallëzor pse mos të luftohet, sikur te rasti i Ballkanit e kemi parë që luftërat për disa njerëz janë treguar edhe profitabile, sidomos për ata që i nxisin dhe i bëjnë. Sot, fatkeqësisht, shumë shtete e shumë korporata kanë interesa të ndryshme në ato rajone të luftërave. Mungon zëri i intelektualeve e i shkrimtarëve, dhe të bëhet as një trysni në dobi të paqes. Fundi i fundit historia nuk do të na i falë dështimet tona. Bota e jetët e njerëzve të pafajshëm nuk janë pronë e askujt, as e korporatave e as e grupeve terroriste.
Jemi dëshmitarë se sa pak ka përpjekje për paqe në botë, madje as nuk e përmend kush, nuk po shohim as nga shkrimtarë e klerikë vendosmëri. Fatkeqësisht, duket se ata që dëshirojnë të luftojnë janë më shumë. Më pak janë ata që thërrasin për paqe. Por, kjo nuk duhet të na dekurajoj, s’ka lidhje që janë apo jemi pak.
Me pak e nisi edhe Gandi e shumë liderë tjerë paqësor, por me kohë u bënë shumë. Një ditë shumë do të bëhemi edhe ne që më kurrë nuk duam luftëra e gjakderdhje. Në secilin rast jam për paqe, në asnjë rast nuk jam për luftë.
Jetojmë në një botë ku luftërat janë të shenjta e paqja është mallkim. Kush e kishte menduar…