Sport

Mbappe: Po, kam biseduar me Real Madridin, ama tash i përket të kaluarës

Ylli i Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe, ka zbuluar se kishte mbajtur bisedime me Real Madridin para se përfundimisht të transferohej në skuadrën e kryeqytetit francez.
Megjithatë, francezi ka insistuar se kjo gjë tashmë është në të kaluarën e tij, transmeton Express.

Një kalim te kampioni i Evropës dhe Spanjës u duk se do të ndodhte për Mbappen pas spekulimeve të mëdha në sezonin e kaluar, kur talenti i ri e ndihmoi Monacon ta fitojë Ligë 1.

Ai i shënoi 27 gola në të gjitha garat dhe në fund iu bashkua brazilianit Neymar te PSG-ja – fillimisht si i huazuar për një sezon – përkundër bisedimeve me Real Madridin, skuadër me të cilën do të përballet në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve.

“E vërtetë që kemi biseduar, por mendoj se kjo gjë tashmë i përket të kaluarës për mua dhe Real Madridin”, ka thënë Mbappe për Marca. /Express/

the authorE B