Sport

Kryeministri Haradinaj e pret në takim kampionin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka pritur sot në një takim në zyren e tij kampionen e Kosovës në futboll, Dritën e Gjilanit.
Haradinaj si dhuratë klubit të Gjilanit i ka ndarë dekoratën e Hartës së Kosovës në takimin e zhvilluar sot, ndërsa përfaqësuesit e Dritës kishin përgatitur një dhuratë simbolike për kryeministrin Haradinaj, e cila ishte një fanellë e Dritës me numrin 10 dhe me mbishkrimin Haradinaj.

Drita u shpall kampione e e Kosovës për sezonin 2017/18 pas barazimit në javë ne fundit të Superligës kundër Prishtinës.

Postimi i plotë i Haradinajt në Facebook:

“Drita” e Gjilanit e fitoi titullin në një kampionat që ka shënuar ngritje në cilësi dhe organizim. Sikur ditën kur ua dorëzova kupën e kampionit, ishte nder edhe sot t’i pres në takim futbollistët gjilanas.

Me këtë rast, shpreha respektin tim për themeluesin e kësaj skuadre, mikun tim të ndjerë Selami Osmani-Bezi, për kontributin e tij të çmuar për avancimin e sportit në vendin tonë.

Puna e madhe, profesionalizmi dhe përkushtimi në fushën e sportit janë dëshmi e angazhimit të fuqishëm të sportistëve tanë që flamuri i Kosovës të vazhdojë të ngritet sa më lartë edhe në arenat ndërkombëtare!

Urime për “Intelektualët” për kurorëzimin e suksesit!

the authorE B