Opinione

Kënaqësia e leximit të librit

(Me dedikim: librit letrar)

Shkruan: Lirika L. Tafa

Para zbulimeve të mëdha të teknologjisë, i vetmi mjet informimi, “ura lidhëse” mes vendeve, kontakti i vetëm me të kaluarën ishte libri. Librat tani konsiderohen si formë e shmangies nga realiteti apo zgjerim i horizonteve të dijeve brenda të cilave jetojmë. Disa thonë se ne e “humbim” veten në libra, por gjithashtu edhe e “gjejmë” veten në ta.

Ku qëndron në të vërtetë çelësi për t’u kënaqur me librat?!

Çdo libër është një aventurë e re, një mësim i ri, çdo libër përcjellë një mesazh te lexuesi, e aftëson të menduarit, zgjeron kufijtë e fantazisë dhe i jep ndjenjën e të qenit me një mik të mirë.

Nuk mund të them se ka rënë interesimi për të lexuar nëpër kohë, por jo aq shumë mund të hasim në lexues të pasionuar ose adhurues të artit letrar. Shumë fëmijë kanë hasur në vështirësi në mësim nxënie andaj nuk ua ka ënda ta provojnë, derisa tek të tjerë nuk është përcjelle një kulturë e tillë.
Të shprehurit bukur, shkrimi pa gabime, talenti për të shkruar janë vetëm disa nga të mirat që fitojmë nga leximi i librit.

Personalisht jam rritur në atmosferë librash. Kur ankohesha se nuk më zinte gjumi natën, babi më thoshte të fle me një libër te koka dhe ta përdor si kërcënim ndaj gjumit, në fakt këtu gjeta kënaqësinë. Duke qenë se ende nuk pushoj së lexuari, dhe jam e fiksuar me libra, nuk e kam lënë asnjë roman të më piqet shumë në mendje, natyrshëm e influencuar nga ajo që më kishte thënë edhe babi kur po diskutonim për një libër letrar se “letërsia është ireale”, dhe këtu qëndron kuptimi. Jo të gjithë shkrimtarët përcjellin ide dhe mesazhe të mira, andaj librat janë të ndarë; në libra për fëmije dhe libra për të rritur. Për ta kryer sa më mirë misionin e të gjeturit kënaqësi te libri duhet filluar nga librat për fëmijë.

Çka përfiton lexuesi?

E thash, jo të gjitha librat dhe jo të gjithë shkrimtarët përçojnë mesazhe adekuate dhe të balancuara qoftë me moshën apo eksperiencat e lexuesve veç e veç, (po e marr të drejtën dhe guximin t’i quaj mesazhe, ide apo edhe vlera të diskutueshme) por leximi i një libri është përftim i lexuesit, si një bashkëbisedim me një njeri “formalisht” të shpallur elitar, të paktën për shkak të emrit shkrimtar apo poet, pa qenë nevoja që gjithmonë të aprovosh apo kundërshtosh pohime apo mohime nga ai autor, pra njësoj si me bashkëbisedues real që mund ta kesh përball, në shkollë, në punë, në rrugë, në kafene apo në jetë në përgjithësi.

Çdo fëmijë (nxënës) duhet t’a provojë të paktën të lexuarit jashtë obligimeve shkollore, sepse libri me të vërtetë është miku më i mirë i njeriut, dhe libri e do çdo njeri që e hapë ta lexoj atë.

Benedikt Kumerbatch, aktor dhe producent, adhurues i librit, gjatë një interviste kur është pyetur për kohën që kalon duke lexuar, ai u shpreh: “Leximi është një nga kënaqësitë më të mëdha, nëse njëherë fillon të lexosh e ta duash librin, nuk do të ndalesh, sepse ke aq shumë histori për të lexuar.”

Shumë nga ne e posedojmë një telefon apo pajisje tjetër elektronike “smart”. Këta të fundit përmbajnë shumë aplikacione që na e mundësojnë leximin online dhe mbi të gjitha, pa pagesë.

Në rrjete sociale, janë të hapura shumë llogari që përdoren si klube leximi dhe diskutimi, mund të gjesh analiza të librave dhe rekomandime, kjo shërben për të qene sa më “in” në botën e librave.

Shumë lexues e preferojnë ende formën klasike të të lexuarit. Disa nga ta, përfshirë edhe mua, gjejmë një kënaqësi të veçantë kur vizitojmë bibliotekat, libraritë dhe kur mbajmë libër në duar.

Gjatë leximit të gjithë fiksohen me karakteret e librave, saqë vështirë nganjëherë binden me fatin e tyre, sepse kur i lexojmë ne jetojmë me ta, përshkojmë rrugën e tyre dhe jetojmë aventurën e tyre, të paktën për kohën sa e lexojmë atë libër apo për kohën sa ai jeton në kujtesën tonë.