Ylli i Chelsea, Eden Hazard, e ka quajtur Mohamed Salah top lojtar, si dhe ka thënë se tash sulmuesit të Liverpoolit nuk iu dhanë mundësitë që i meritonte sa ishte te Chelsea.
Salah, i cili kaloi nga Roma te Liverpooli verës që lamë pas, ka shënuar nëntë gola dhe dhuruar dy asiste në 12 ndeshje në Premier Ligë deri më tani, transmeton Express.
Gjatë sezoneve 2013-14 dhe 2014-15, egjiptiani 25-vjeçari nuk arriti të gjente vend te atëherë skuadra e Jose Mourinhos.
Para ndeshjes derbi të së shtunës mes Chelsea dhe Liverpool, Hazard e ka lartësuar Salahin.
“Ai ende është miku im. Ende jemi në kontakt. Salah është top, top, top lojtar”, ka thënë Hazard.
“Atij nuk iu dhanë mundësitë në Chelsea, por ne e dimë për cilësitë që i posedon ai. Është sulmues fantastik dhe ka shënuar shumë gola këtë sezon”, shtoi belgu. /Express/