Revista e njohur gjermane e veturave, “Auto Bild”, shkruan se gjenerata e re e Ford Kugas në treg pritet të arrijë në nëntor të vitit 2019, që nënkupton se premierën mund ta presim dy muaj më herët, në panairin e veturave në Frankfurt.
Sipas informacioneve të tanishme, Kuga për 2019-ën do të jetë model shumë më i mirë se modeli aktual sa i përket dinamikës dhe gjerësisë, si dhe do të jetë më i lehtë dhe më ekonomik, transmeton Koha.net.
Tani për tani, Kuga e re parashikohet të vijë me platformën C, të cilën do ta ketë edhe një Crossover i Fordit dhe Focus CUV, i cili do të zëvendësojë C-MAX-in aktual.
Sa i përket motorit, Ford Kuga i ri do të jetë në dispozicion me motor benzinë me kapacitet prej 284 kuajfuqi, në kombinim me marshin automatik me 8 shpejtësi dhe sistemin e tërheqjes me të gjitha rrotat (4×4), si dhe me motorin dizel 2.0-litër me kapacitet prej 184 kuajfuqi.
Gjithashtu, raportohet se Ford Kuga i ri në vitin 2021 do të bëhet edhe me version Plug-in hibrid, në kombinim me motorin me tre cilindra e kapacitet prej 150 kuajfuqi dhe motorin elektrik me kapacitet prej 88 kW/120 kuajfuqi.