Federata angleze e futbollit e ka dënuar trajnerin e Arsenalit Arsene Wenger, pas komenteve që bëri pas ndeshjes me West Bromin, ku skuadra e tij e mori vetëm një pikë – transmeton Periskopi.
Në fund të ndeshjes, derisa rezultati ishte 1 me 0 për topxhinjtë, referi kontraverz Mike Dean akordoi një penallti të paqenë për West Bromin. Rregullat e futbollit qartë tregojnë se për t’u dhënë penallti, duhet që lojtari ta prekë topin me dorë ‘me qëllim’, ndërsa në rastin në fjalë, Gibbs po bënte një harkim në një rast të pashpresë, dhe distanca e topit me lojtarin nuk ishte as dy metra. Por e gjithë kjo, u interpretua ndryshe nga Dean, i cili ka qenë i përfshirë edhe në raste tjera kundërthënëse.
“Është frustruese për mua sepse ka ndodhur [gabimi i gjyqtarëve] shumë herë në këtë sezon. Ndodhi ndaj Stoke Cityt, ndaj Watfordit, Man.Cityt dhe tash ndaj West Bromit” – kishte thënë Wenger.
Gjithë këtë dëmtim që po e pëson Arsenali nga gabimet e gjyqtarëve ai e ka quajtur “një koinçidencë shqetësuese”. Pikët që ka humbur nga këto ndeshje, do të bënin që Arsenali të ishte ndoshta në vendin e dytë në Premier Ligë.
Ndoshta është koha, si në shumicën e ligave tjera evropjane, edhe Federata e Anglisë të përdorë teknologjinë VAR [Video Assistant Referee] në ndeshjet e kupës dhe të ligës.
Arsenali nesër e pret Chelsean prej orës 20:45 në The Emirates Stadium. | Periskopi