Opinione

E drejta për jetë

Lulzim Tafa

E drejta për jetë është e drejta kryesore e njeriut. Është krye e drejta e të gjitha të drejtave. Të gjitha të drejtat e tjera janë të lidhur me të. Është e natyrshme që njeriu, që nuk jeton, nuk gëzon asnjë të drejtë.

Pra, ç’kuptim do të kishin të drejtat e tjera, e që janë të shumta, pa e pasur të drejtën për jetë.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ashtu si edhe të gjitha kushtetutat e tjera të vendeve demokratike e njohin të drejtën për jetë si të drejtën thelbësore. Neni 25, i kushtetutës së Kosovës në mënyrë të qartë e thotë; 1. Secili njeri gëzon të drejtën për jetën, dhe 2. Dënimi me vdekje është i ndaluar.

Askush askujt nuk ka të drejtë t’i ja marr jetën. Madje këtë të drejtë njeriu e fiton që në embrion, në trupin e nënës. Pra është e ndaluar vrasja e frytit, është e ndaluar edhe vrasja e fëmijëve që lindin me të meta të theksuara; të gjymtë, me mungesë organesh apo organe të tepërta, deformime të rënda, po ashtu është e ndaluar edhe vrasja e atij që pa të drejtë quhet “monstrum’’. Është e ndaluar edhe vrasja e njeriut të diagnostifikuar me çfarëdo lloj sëmundje, qoftë edhe të pashërueshme dhe të pashpresë. Ndalohet edhe vrasja e njeriut për të cilin është edhe krejtësisht e qartë se brenda një kohe të shkurtë do të vdes. Kushtetuta e Kosovës e jep të drejtën e jetës si të drejtë të pamohueshme nga askush. Është e vërtetë se në dispozita kushtetuese gjen edhe të drejtën në dinjitet, në administrim të trupit të vet nga secili, por e drejta për jetë është e garantuar. Ajo nuk mund të tjetërsohet.

Secili shtet dhe secili legjislacion, jetës i ka organizuar edhe mbrojtje juridike-penale. Edhe Kodi Penal i Kosovës në kapitullin e XVI, nën emërtimin veprat penale kundër jetës dhe trupit nga neni 178, ka përkufizuar 14 lloje të vepra penale (këtu hyjnë edhe veprat penale kundër trupit) dhe ka paraparë sanksione penale mjaft të larta për të gjithë kryesit e këtyre veprave penale. Në këtë kapitull janë veprat penale të vrasjes, të cilat e drejta penale i ndanë në tri lloje; Vrasjet e rënda, vrasjet e rëndomta dhe vrasjet e privilegjuara.

Po ky kod ka organizuar mbrojtje juridiko-penale edhe për jetën e ardhshme, pra e ka paraparë, ndër të tjera, si vepër penale edhe “Ndërprerjen e palejuar të shtatzënisë”. Kur i shtohet kësaj edhe shkalla e lartë e sanksionit penal të paraparë, që është edhe më e larta që gjendet në Kodin penal (në këtë kapitull, për disa vepra të këtij kapitulli parashihet edhe dënimi me burg të përjetshëm) shihet shkalla e seriozitetit që ka e drejta penale përball të drejtës elementare të njeriut, që është e drejta për jetë.
Kudo në botë, në qarqe edhe akademike e shkencore, por edhe në ato religjioze, zhvillohen diskutime dhe jepen mendime të ndryshme lidhur me atë që quhet “vrasje nga mëshira”, që ndryshe njihet edhe si Eutanazia (vdekja e mirë).

Në esencë, kuptimi i eutanazisë është menduar si pozitiv, por vetëm formulimi “Vrasje nga mëshira” përmban brenda vetes situatën më kontroverse që e njeh fjalori i një gjuhe. Pra edhe vrasje, që është vepër e rëndë penale, e ndaluar, e që është pjesë e fjalorit kriminal, por edhe mëshirë, që është një nga fjalët që e njehë fjalori human.

Pra kemi një përballje mes vrasjes dhe mëshirës. Mbi këto përplasje të skajshme gjendet edhe sot situata për aprovimin ose mos aprovimin e eutanazisë. Zëra pro e kundër ka, normalisht zërat kundër janë me shumicë, por përmbyllja e debatit, nxjerrja e konkludimit të dakorduar është pothuajse e paarritshme.

As religjioni nuk e lejon eutanazinë, dhe jo vetëm që nuk e lejon por edhe e ndalon, madje e sheh si mëkat shumë të madh, ndoshta edhe më mëkat se vrasjen klasike (nga jo mëshira). Religjioni e parasheh si mëkat të madh edhe vetëvrasjen. Kurse ligji nuk saksionon vetëvrasjen nga fakti se njeriut që vetëvritet nuk ka si t’i shqiptoj dënimin (por mos të harrojmë se shtytja në vetëvrasje është e ndaluar).

Përkufizime për eutanazinë ka shumë. Në përkthim të drejtpërdrejtë ajo thotë vdekje e mirë apo e lehtë. Eutanazia ose siç njihet në gjuhen shkencore Euthanasia, është një proces pa dhimbje që ndihmon një person me sëmundje terminale, pra vdekjeprurëse, te vdesë para kohe (me dëshirën e tij). Pra ta ndihmosh njeriun të vdes. Përkufizime të tilla të termit të eutanazisë gjenden edhe në shumë enciklopedi e fjalorë të ndryshëm. Derisa kuptimin burimor apo zanafillën e saj eutanazia paraqiste vetëm lutjen dhe dëshirën e njeriut për vdekje të mirë dhe të pa mundimshme (në popull të gjithë neve na ka rënë të dëgjojnë edhe lutje të njerëzve për të dashurit e tyre që lëngojnë nga ndonjë sëmundje e pashpresë, të luten të kthehen apo të gjejnë njërën rrugë). Pra, në një farë forme kjo është edhe eutanazia në gjenezën e saj, që nënkupton vetëm lutjen dhe dëshirën që dikush të vdes pa dhembje e vuajtje, por assesi nuk nënkuptonte ndërmarrjen e çfarëdo veprimi me të cilin merret jeta e njeriut, i cili vuan i pashpresë për jetë. Madje Kodi Penla i Kosovës i ka paraparë edhe dy vepra tjera penale, “mosdhënia e ndihmes” dhe “braktisja e personave të paaftë”.

Ashtu si krejt bota, edhe vendi ynë ka plot raste të rënda të sëmundjeve të caktuara, madje edhe për vite të tëra, që të shtynë të mendosh për eutanazinë. Personalisht në Qendrën Klinike Universitare, kur kam shkuar të vizitoj një të afërm, e kam parë një fëmijë që kishte rënë në koma në moshën gjashtë vjeçare pas një aksidenti, por që kishte tetë vite që nuk po zgjohej. Tash ai ishte afër moshës katërmbëdhjetë vjeçare. E pranoj se kam përjetuar, ndoshta, momentet më të vështira në jetë, por përsëri nuk jam hamendur, çka do të thotë se, edhe si profesionist, edhe si njeri, unë i them një Jo të madhe Eutanazisë. Ndoshta maksimumi do të ishte aprovimi i asaj eutanazisë burimore, lutje zotit për mëshirë dhe vendim, asnjë veprim tjetër. Duhet pritur vdekjen të vijë natyrshëm. Asnjë lloj vrasje nuk është e lejuar, e as ajo nga mëshira. I vetmi që ndihmon është mëshira e Zotit, e ne na mbetet vetëm të lutemi për mëshirën e tij.

(Autori është Profesor i së Drejtës Penale dhe aktivist për të Drejtat e Njeriut)