Sport

Drejtuesit e KOK-ut po marrin pjesë në Asamblenë e ICMG-së

Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), presidenti Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, po marrin pjesë në Asamblenë Gjenerale të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG).

Kjo asamble e ICMG-së është duke u mbajtur në Tarragona të Spanjës, raporton KosovaPress.

Më 30 tetor 2015, KOK është bërë anëtarja e 25-të e pranuar me të drejta të plota në Asamblenë e Jashtëzakonshme, në Washington DC, dhe deri më tani është anëtarja e fundit e pranuar në ICMG, ndërsa sot pritet të pranohet edhe Komiteti Olimpik i Portugalisë.

Në këtë Asamble do të mbahen edhe zgjedhjet për mandatin e ardhshëm katër vjeçar, ku do të zgjedhet presidenti, sekretari general dhe Bordi Ekzekutiv.

Presidenti i tanishëm, Amar Addadi nga Algjeria dhe sekretari gjeneral, Isidoros Kouvelos, nuk kanë kundërkandidat dhe pritet që ata të drejtojnë ICMG-në edhe për katër vitet e ardhshme.

Ndërsa, kandidat për anëtar të Bordit Ekzekutiv është sekretari gjeneral i Komitetit Olimpik të Shqipërisë (KOKSH), Stavri Bello.

Përveq pjesëmarrjes në këtë asamble, Hasani dhe Haxhijaj janë duke e shfrytëzuar rastin edhe për të bërë takime me drejtuesit e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare dhe të Komiteteve Kombëtare. Pikërisht në Tarragona, në qershor të vitit të ardhshëm do të mbahen Lojërat e 18-ta Mesdhetare, ku do të marrë pjesë edhe Kosova. /KosovaPress/

the authorE B