Sulmuesi kosovar i Melbourne Victory, Besart Berisha, pritet të bëhet qytetar australian në fillim të vitit të ri.
I lindur në Kosovë, Berisha jeton në Australi që prej kur e nisi karrierën e tij në A-League në vitin 2011 me Brisbane Roar, para se të kalonte te Victory në vitin 2014, transmeton Express.
“Shpresoj se do të bëhem australian në janar apo shkurt. Do të jetë madhështore. Mezi pres. Nuk e di sigurt kur por mezi pres të bëhem australian edhe zyrtarisht”, ka thënë sulmuesi i Kombëtares së Kosovës.
Berisha, i cili është golashënuesi më i mirë në histori të A-League të Australisë, ka theksuar se i është mirënjohës Australisë si vend ku ka nisur të luajë futboll të mirë përsëri dhe ka arritur gjëra të mëdha, duke shtuar se e do Australinë.
“Ky është vendi ku kam nisur përsëri të luaj futboll të mirë dhe të arrij gjëra të mëdha. I jam mirënjohës dhe prandaj jam këtu ende. E dua këtë vend, ka qenë tepër i mirë ndaj meje dhe dua ta shijoj aq sa mundem”, shtoi ai .
Marrja e shtetësisë nga Berisha do të thotë se edhe klubi i tij ndien lehtësim, pasi trajneri Kevin Muscat do të jetë në gjendje që pastaj të blejë ndonjë lojtar tjetër të huaj për sezonin e ardhshëm. /Express/