Opinione

Avokatët

Lulzim TAFA

Sipas Ligjit mbi Avokatinë, çdo kandidat, para se të pajiset me lejen e ushtrimit të profesionit të avokatit, është i detyruar të japë betimin solemn.

Teksti i betimit është ky: “Betohem, se profesionin e avokatit do ta ushtroj me dinjitet, ndërgjegje, i pavarur dhe me nder, duke respektuar rendin juridik dhe kushtetues”.

Çfarë do të thotë Ligji për Avokatinë, dhe çfarë do të thotë ky betim për ata që punojnë sipas këtij ligji dhe sipas këtij betimi?

Në Kosovë ka shumë avokatë, ka shumë avokatë të mirë, avokatë modelë që punën e tyre dhe misionin që kanë e përmbushin me pedantëri dhe disiplinë të lartë morale e ligjore, sikundër që ka edhe shumë avokatë matrapazë, gënjeshtarë, madje edhe që janë krejtësisht në anën e krimit dhe të kriminelëve, që e ndajnë edhe fitimin nga aktivitetet kriminale të klientëve të tyre “të pafajshëm”, për të cilët nuk ka krim në vendin tonë. Sipas tyre, në Kosovë ka vetëm hetues, prokurorë e gjyqtarë, që 24 orë vetëm u montojnë raste klientëve të tyre, gjithsesi dhe gjithëherë të pafajshëm.

Klienti im është i pafajshëm, nuk ka prova që e inkriminojnë klientin tim, e edhe kur janë provat, ata e kanë gjithëherë përgjigjen e shpejtë, provat janë të montuara, janë të parregullta.

Të jesh një avokat, sot është një profesion mjaft fisnik, sepse je në shërbim të drejtësisë, shoqëria është ajo që ka më së shumti nevojë për drejtësi.

Por, cili është roli apo misioni moral dhe ligjor i avokatit dhe avokatisë, dhe cila është përgjegjësia ligjore e tyre?

A është roli i tyre të ofrojnë këshilla dhe ndihmë juridike, apo t’i mësojnë kriminelët se si ta perfeksionojnë krimin, si ta fshehin atë, dhe si të krijojnë alibi ?!

Nëse është kjo e para, krejt është OK. Ky është misioni dhe profesioni i tyre, dhe për këtë ata paguhen.

Paguhen sipas tarifave të paracaktuara nga rregullatori i tyre. Por, në rast se ata “goditen” me klientët e tyre, që t’i shpëtojnë nga ndjekja penale dhe dënimet, kjo është jo vetëm kundërligjore, por edhe e turpshme nga ana morale, sepse pazar me drejtësinë nuk ka, ose së paku nuk do të duhej të kishte.

S’ka dyshim se Oda e Avokatëve të Kosovës është një institucion serioz. Serioz është madje edhe Kryetari i Odës, një avokat, vërtet, profesionist dhe i ndershëm, por një pjesë e “xhematit” të tij, padyshim se e ka
lëshuar rrugën e ligjit, dhe tani punon me ligjin e rrugës, pazarit dhe krimit.

Jo pak njerëz, që njihen sot në Kosovë si delikuentë, i gjen tek bëjnë be në kokat e avokatëve të tyre, disa të tjerë për ta bindur klientin e tyre që ta bëjë pazar, p.sh një pronë të dyshimtë, thonë “ta gjej unë avokatin që t’i ndreq letrat”

Na kujtohet vetëm rruga Lipjan – Prishtinë, të gjitha pronat në të dy anët e rrugës ishin prona shoqërore, për këto dhjetë vjet të gjitha u ”konvertuan” në prona private. Kështu, me ndihmën edhe të avokatëve funksionoi me sukses procesi i “konvertimit”, shumica përmes serbëve, e pastaj me ”emzanë” e tyre u bart te shfrytëzuesit e sotëm. Merita e disa avokatëve në këtë plan është e jashtëzakonshme.

Në këtë situatë, më kujtohet edhe një polic i cili rrëfente se si po i tallin delikuentët ata, duke u thënë se unë lirohem shpejt, por vetëm po më dalin ca para prej dorës për avokatë.

Edhe nëse të gjitha këto çështje, që kanë të bëjnë me çështjet civile e administrative ju falen, si mund t’ju falet disa avokatëve të çështjeve penale kur me “mjeshtëritë” e tyre kriminale e dhe falë “zotësisë profesionale” i “mundin” prokurorët dhe hetuesit dhe arrijnë ta shpallin të pafajshëm një vrasës, një kriminel një reketues a dhunues, dhe i ndiejnë kënaqësitë e këtij “triumfi”, për ato para që i fusin në xhep, apo i ndajnë me dikë përballë vuajtjeve të viktimave të krimit, të cilët nuk mund të marrin as satisfaksion shpirtëror, së paku. Për ato para që do t’i shpenzojnë për vete dhe për familjet e tyre, pa u shkuar në mend se Zoti është lart dhe Ai nuk mund të mundet.

Detyra e një avokati është, që për kryesin e veprës penale të gjejë rrethana lehtësuese të cilat ndikojnë në matjen e dënimit, që kryesi i veprës të marrë dënim që nuk i tejkalon suazat e fajësisë së tij.

Kjo metodë avokatie, dhe inkriminimet e drejtpërdrejta të disa avokatëve, e bastardojnë dhe e përmbysin gjithë misionin që e kanë avokatët në shërbim të drejtësisë.

Këta “avokatë”, që me asgjë nuk i ngjasojnë avokatëve të vërtetë, me do zyra “mizerie”, që nuk kanë as WC (vetëm inspektorati sanitar po të funksiononte, ata nuk do të mund të punonin) ndajnë pazarin mes klientëve të vet, dhe atyre që vendosin për ta.

Përfundimisht, sot në Kosovë avokat i mirë konsiderohet ai avokat që i ka lidhjet e forta me gjyqtarë e njerëz të tjerë, që vendosin për çështje gjyqësore, se sa një avokat që e njeh mirë ligjin dhe procedurat, dhe që di ta bëjë mirë interpretimin ligjor.

Fatkeqësisht, peshorja që simbolizon drejtësinë tanimë është transformuar dhe ka një simbolikë tjetër, në njërën anë ka klientin e në anën tjetër paratë.

Keq, krim, turp, gjynah.