Njëri ndër lojtarët më të suksesshëm në trojet shqiptare ,Lorik Cana, ishte i ftuari i radhës në AAB talks. Cana tregoi për studentët e Kolegjit AAB se momentet e lumtura por edhe sfidat nuk kanë munguar në jetën e tij.
Ish kapiteni i Kombëtares shqiptare Lorik Cana tregoi disa gjëra për fëmijërinë e tij. Ai tregoi që klasën e parë e përfundoi në Prishtinë, por për shkak të trazirave Cana thotë që u janë detyruar të largohen në Zvicër. Kjo shpërngulje ishte e mirë për Canën sepse sipas tij ka ndikuar që të realizonte objektivin e tij.
“Kemi pasur një të ardhme më të mirë jashtë Kosovës dhe jam munduar ta shfrytëzoj këtë mundësi për me arritur sa më shumë. Ne nuk kemi qenë këtu në vitet e vështira nga 97-99 ku populli jonë ka vuajtur shumë , dhe ne kemi vuajtur por nga distanca, dhe kjo ka ndikuar më shumë për të realizuar një objektiv që kisha për tu bërë sportist”, tha Loriku.
Ai foli për fillimin e karrierës dhe tregoi që ekipi i “Arsenalit” ishin të parët që e kërkuan, por për probleme të vizave ai nuk mund të shkonte në Londër.
“Në fillim më ka pa “Arsenali”, por fatkeqësisht njerëzit këtu në Kosovë ende po vuajnë për punën e letrave dhe vizave, dhe unë nuk kam pasur mundësi për punë të vizave të shkojë në Londër dhe u drejtuam në Paris”, tha Cana.
Lorik Cana nuk është më pjesë e Kombëtares Shqiptare dhe këtë e konfirmon vetë ai duke treguar që është larguar nga futbolli për disa probleme shëndetësore që kishte. Gjithashtu tregoi edhe për fondacionin e tij, Lorik Cana 5.
“E kam ndërpre futbollin. Nuk kam dal ende zyrtarisht ta them, por unë zgjedhjen e kam bërë që ta ndërprerë pas Evropianit. Unë kam vuajtur nga disa probleme shëndetësore dhe nuk më lejohet më ta praktikoj sportin në nivelin e lartë. Jam duke punuar me një projekt të cilin e kam shumë për zemër, që ka 2 vjet që punoj por tani kam më shumë kohë. Fondacioni “LorikCana5” i cili është një projekt bamirësie në fushën e sportit dhe kulturës”, shtoi ish kapiteni i Kombëtares Shqiptare.
I pyetur se nëse do e merrte një ofertë të zëvendësonte trajnerin e Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjakun, pa marrë parasysh nëse tifozët Dardanët do ishin kundër si do reagonte, Cana tha se ai dardan është edhe vetë duke lënë të kuptohej përgjigjja.
“Unë jam pjesë e Dardanëve, se Dardan jam vet. Në qoftë se një ditë kam dëshirë dhe më pëlqen të jem trajner dhe më bëhet oferta, nuk ka asnjë arsye pse të mos jem trajner i Kosovës”, shtoi Cana.
Në fund të kësaj ligjërate studentët e Kolegjit AAB patën mundësi të bëjnë pyetje për ish kapitenin, ku njëra prej tyre ishte edhe për lojën që kishin me Serbinë. Loriku tha që në fushë janë si vëllezër dhe gjatë sulmit mbrojtja ndaj vëllezërve është gjëja më normale që duhet të bëhet.