Majlinda Kelmendi është bërë ambasadore e organizatës “Care For Kosovo Kids”, ku do të ndihmojë në fushatën për të ndihmuar fëmijët që mjekohen nga kanceri dhe leukemia në Klinikën e Pediatrisë në QKUK.
Për kampionen botërore të xhudos, Majlinda Kelmendin, të jetë ambasadore e kësaj shoqate është ndjenja më e mirë që po e përjeton.
Për të ndihmuar këta fëmijë, ajo vendosi në ankand simbolin që mbante në shpinë në Lojërat Olimpike Rio 2016, ku shkruan emri i saj dhe vendi nga vjen.
Ndërsa, koordinatorja e Fondacionit në Kosovë, Sevim Cinci, tha se është krenari që tashmë Majlinda Kelmendi është ambasadore në Care For Kosovo Kids.
E për fondacionin Care For Kosovo Kids, ajo tha se që në fillimet e punës së tij, ka arritur të sigurojë të gjitha gjërat që duhen në Klinikën e Pediatrisë.Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj, tha se Majlinda është bashkuar me një shoqatë që është bërë si familje për shumë fëmijë të Kosovës. Fondacioni “Care for Kosovo Kids” është themeluar në janar të vitit 2013.
Qëllimi i këtij fondacioni është furnizimi me citostatikë të nevojshëm për fëmijët me kancer në repartin e hematologjisë/onkologjisë pediatrike në Klinikën Universitare të Kosovës për prindërit e fëmijëve të cilët nuk janë në gjendje të bartin koston e barnave./KosovaPress/