Veseli mohon se Lista Serbe i ka vënë kushte për demarkacionin

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se asnjë kusht nuk ia ka përmendur Lista Serbe, në këmbim të votës për demarkacionin. 

Edhe nëse do të ketë kushte, kryetari i Kuvendit, Veseli, ka thënë se nuk do t’i nënshtrohen, derisa ka paralajmëruar se demarkacionin do ta kalojnë bashkërisht “për forcimin e shtetit e sovranitetit të Kosovës”, shkruan sot Koha Ditore.

Por opozita vazhdon të kërkojë anulimin e versionit aktual të Marrëveshjes, si parakusht për kapërcimin e krizës politike. Ndryshe prej kryeministrit Isa Mustafa, i cili ndër arsyet e tërheqjes së Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit, më 1 shtator, kishte përmendur “kushtet” e Listës Serbe, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se kjo listë është treguar pozitive dhe nuk e ka kushtëzuar procesin.