Përparim Hetemaj, i cili pati ofertë t’i bashkohej Kombëtares së Kosovës por refuzoi, është pensionuar nga ekipi kombëtar i Finlandës.
Hetemaj e bëri të ditur lajmin dje në një konferencë për media në Helsinki, ku tha se kishte menduar për këtë vendim një kohë të gjatë, transmeton Express.
31-vjeçari debutoi për Kombëtaren e Finlandës në shkurt të vitit 2009. Ai regjistroi 49 paraqitje për ekipin kombëtar të Finlandës dhe shënoi katër gola.
Hetemaj nuk u paraqit për Finlandën kundër Kosovës në ndeshjen kualifikuese për Botërorin “Rusia 2018” në shtator të 2016-s, duke nxitur spekulime se ai mbase kishte zgjedhur të luante për Kosovën, por i menjëhershëm ishte reagimi i Federatës së Futbollit të Finlandës, e cila konfirmoi se Hetemaj do të vazhdonte të ishte pjesë e saj.
Hetemaj më pas u paraqit në ndeshjet kualifikuese të Finlandës kundër Kroacisë dhe Islandës. /Express/
=