Ventura thotë se në “San Siro” 90 minuta janë shumë dhe se Italia mund ta përmbysë rezultatin e ndeshjes së parë.
Seleksionuesi i Italisë, Gian Piero Ventura, ka thënë se përfaqësuesja e tij do të mundohet të kualifikohet në Kupën e Botës “duke luajtur futboll”, pas një ndeshjeje të parë të tensionuar të barazhit kundër Suedisë.
Ventura, 69-vjeçar, që është seleksionuesi më i vjetër në histori të Italisë, ka thënë se do t’i duhej me muaj të dëgjonte të gjitha këshillat që ka marrë ndërsa Italia po mundohet të përmbysë disavantazhin prej 1:0 pas humbjes së pësuar të premten në ndeshjen e parë në Stockholm.
“Do të ndryshoj diçka. Ne jemi Italia dhe nëse kualifikohemi atëherë do të pëlqeja të thoshim se e kemi arritur këtë duke luajtur futboll”, tha Ventura.
“Duhet të luftojmë dhe të lëmë gjithçka sonte në fushë. 90 minuta në San Siro janë shumë të gjata”, shtoi ai.
Humbja 1:0 e ka lënë Italinë në rrezik të humbasë Kupën e Botës për herë të parë pas 60 viteve dhe tensionet para ndeshjes së kthimit të hënën mbrëma (20:45) në “San Siro” në Milano janë të qarta. /Gazeta Express/