Sport

​Statistika që dëshmon sa shumë varet Barcelona nga Messi

Nuk është aspak sekret fakti që Lionel Messi është një lojtar kyç në skuadrën e Barcelonës, madje ai tani e mban edhe shiritin e kapitenit të parë. Megjithatë, një statistikë ka dëshmuar se sa shumë varet me të vërtetë Barcelona nga performancat e argjentinasit.

Që nga shtatori i vitit 2016, asnjë lojtar tjetër përveç Messit nuk ka shënuar gol si mysafir në ndeshjet e Barcelonës në Ligën e Kampionëve. Për herë të fundit, Gerard Pique kishte shënuar kundër Borussia Monchengladbach, përcjell Gazeta Express.

Kjo statistikë flet për nëntë ndeshjet që Barcelona i ka zhvilluar si mysafir gjatë dy sezoneve të fundit të Ligës së Kampionëve. Gjatë këtyre nëntë ndeshjeve, Messi kishte arritur t’i shënojë gjithsej pesë gola.

Barcelona do të tentojë t’i japë fund kësaj statistike të mërkurën, kur do të ndeshen me Tottenhamin në stadiumin kombëtar të Anglisë, Wembley, për ndeshjen e vlefshme për xhiron e dytë të Ligës së Kampionëve.

Barcelona e kanë filluar këtë sezon të Ligës së Kampionëve në mënyrë të përsosur, duke e fituar ndeshjen e parë kundër PSV-së me rezultat 4-0.

Ndërsa, Tottenhami do të tentojë t’i kthehet fitoreve në këtë ndeshje, pasi që në xhiron e parë ishte mposhtur nga Interi në San Siro me rezultat 2-1. Ata kishin qenë fillimisht në epërsi, por Zikaltrit kishin arritur ta përmbysnin rezultat në minutat e fundit. /Gazeta Express/

the authorE B