Trajneri i Arsenalit, Unai Emery, i ka mohuar spekulimet se ai nuk e kishte lejuar trajnerin e Kombëtares së Gjermanisë, Joachim Low, ta takonte mesfushorin Mesut Ozil, gjatë vizitës së tij në seancën stërvitore të klubit londinez.
Mediat gjermane kishin raportuar se Joachim Low kishte kërkuar që të bisedojë me Mesut Ozilin gjatë vizitës së tij në Londër, megjithatë kjo gjë iu ishte pamundësuar nga trajneri i Arsenalit, Unai Emery, përcjell Gazeta Express.
Megjithatë, Sky Sporti ka mësuar se disa nga mediat gjermane nuk kishin raportuar saktësisht dhe se Lowi kishte shkuar në Hertfordshire për të biseduar me Per Mertesackerin, i cili u emërua shef i akademisë së klubit në fund të sezonit të kaluar. Ai nuk ishte takuar me Ozilin pasi që gjermani me origjinë turke nuk ndodhej aty.
“Nuk është e vërtetë që nuk e lejova Messin të takohet me Lowin. Nuk kisha aspak një problem të tillë në kampin e stërvitjeve. Lajmi nuk ishte i saktë”, ka thënë Emery.
Pas dështimit të Kombëtares së Gjermanisë në Kupën e Botës, Ozili kishte publikuar një letër trefaqëshe në rrjetet e tij sociale, ku kishte bërë të ditur se po largohej nga Kombëtarja. Largimin e tij ai e kishte arsyetuar duke thënë se gjatë kësaj kohe ishte përballur me racizëm.
Akuzat e Ozilit i ishin drejtuar Federatës së Futbollit të Gjermanisë dhe mediave gjermane, të cilat, sipas tij, e kishin kritikuar padrejtësisht pas fotos së tij me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoganin. /Gazeta Express/