Të paktën dy deputetë të koalicionit LDK-AKR-Alternativa do të votojnë për Kadri Veselin për Kryeparlamentar e Ramush Haradinajn për Kryeministër.
Këtë paralajmërim e kanë dhënë zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Ministri në largim, Blerand Stavileci, ka thënë se dy vota për Qeverinë e re janë nga koalicioni LAA.
“Po janë 61, deputetë. Minimumi janë dy deputetë që janë nga blloku LAA”, deklaroi Stavileci në “Fakt Plus” në “Tribuna Channel”.
Votën pro Qeverinë Haradinaj e ka konfirmuar Teuta Rugova, e cila ka zhvilluar një takim në shtëpinë e saj, me Ramush Haradinajn. Ka thënë se vota e saj nuk do të jetë për bllokimin e institucioneve.
Edhe Labinot Tahiri, po ashtu i koalicionit PAN, ka thënë se e do Ramush Haradinajn për Shef të Qeverisë derisa ka thënë se do të votojë secilin shqiptar për Shef të Parlamentit.
Seanca konstituive mbahet javën e ardhshme, më 3 gusht, ku pas votimit për Kryetar Parlamenti caktohet mandatari për formimin e Qeverisë.