Ndeshja mes Shqipërisë dhe Izraelit do të luhet në stadiumin Loro Boriçi. Këtë e ka konfirmuar Federata e Futbollit e Shqipërisë (FSHF) nëpërmjet një njoftimi për medie, shkruan Express.
“Federata Shqiptare e Futbollit, njofton sportdashësit, median dhe gjithë opinionin, se ndeshja e 12 nëntorit mes Shqipërisë dhe Izraelit, për eliminatoret e Kampionatit Botëror të Futbollit “Rusi 2018”, do të luhet sipas parashikimit në stadiumin “Loro Boriçi”, të qytetit të Shkodrës”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.
“Të gjitha lajmet për të kundërtën apo që ndeshja do të luhet në Elbasan, janë të pavërteta dhe pa asnjë konfirmim zyrtar apo deklaratë të dalë nga institucioni shqiptar i futbollit. FSHF, rikonfirmon se ndeshja do të luhet në stadiumin e Shkodrës, dhe kjo gjë nuk është vënë asnjëherë në dyshim”, vazhdon njoftimi. /Express/