Sport

Zyrtare: Donnarumma nuk do të nënshkruajë kontratë të re me Milan

Gianluigi Donnarumma ka refuzuar ofertën e Milan dhe nuk planifikon që të nënshkruajë marrëveshje të re me klubin, ka thënë drejtori ekzekutiv i klubit Marco Fassone në konferencën për media të enjten.

Agjenti i portierit më perspektiv në botë, Mino Raiola ishte në Milano dhe ia ka bërë me dije klubit se Donnarumma nuk planifikon të nënshkruajë marrëveshje të re dhe se dëshiron ta lëshojë skuadrën.

“Mino Raiola më ka informuar për vendimin e Donnarumma, se nuk dëshiron të nënshkruajë marrëveshje të re me Milan. Ky është vendimi përfundimtar, të cilin e ka marrë lojtari. Para dhjetë ditësh i kemi ofruar një ofertë të vlefshme, më të madhe se sa ajo për të cilën kanë raportuar mediat. Lojtari ka marrë parasysh arsyet teknike, ekonomike dhe personale, dhe vendosi që ta refuzojë. Marrëdhënia e tij me Milan do të përfundojë më 30 qershor 2018”, ka thënë Fassone.

Ndërkohë që portierit të njohur i mbetet edhe një vit kontratë me Milan, skuadra duhet të vendosë nëse do ta shesë kësaj vere, ose do ta lëshojë si lojtar të lirë vitin e ardhshëm. Për shërbimet e Donnarumma janë të interesuar Juventus, Manchester United, Real Madrid dhe PSG, transmeton KosovaPress.