Rajon & Botë

Zvicra nuk do të dëbojë azilkërkuesit në Hungari

Zvicra, njëherë për njëherë nuk do të kthejë në Hungari azilkërkuesit kundër vullnetit të tyre, edhe pse këtë gjë ia mundëson Marrëveshja e Dublinit, ku Zvicra është nënshkruese.

Sekretariati Shtetëror për Migracion (SEM) planifikon që fillimisht t`i sqarojë me Hungarinë kushtet e pranimit të azilkërkuesve që ofron ajo, shkruan “NZZ am Sonntag” sot, përcjell Albinfo.ch. Këto masa po merren për të zbatuar një vendim që Gjykata Federale Administrative e Zvicrës kishte marrë në maj të këtij viti.

Vendimi në fjalë u rekomandonte autoriteteve të vendit ndalimin e kthimit të refugjatëve në Hungari, edhe në rastet kur ata në atë shtet e kanë paraqitur për herë të parë kërkesën për azil. Kjo për faktin se ishte konstatim i përgjithshëm se Hungaria nuk ofronte kushtet e domosdoshme për strehim të azilkërkuesve.

Ndërsa SEM në qëndrimin e tij synon që para se të vendosë për lejimin e kthimit të azilkërkuesve në Hungari të hetojë nëse në atë vend ka shkelje sistematike të të drejtave të azilkërkuesve.

Nga fillimi i këtij viti deri më tash, Zvicra ka dëbuar 12 azilkërkues në Hungari ndërsa ka bërë 102 kërkesa të tjera për një gjë të tillë.

the authorE B