Aktuale

Zv/kryeministri turk e cilëson sukses të madh deportimin e “gylenistëve”

Zëvendëskryeministri turk, Bekir Bozdag, ka deklaruar se në kuadër të operacioneve jashtë vendit MIT i ka shkaktuar goditje të madhe FETO-s.
Ndërkaq deportimin e gjashtë gylenistëve nga Kosova e ka vlerësuar lartë.

“Ajo që ndodhi në Kosovë ishte një sukses i madh”, ka thënë Bozdag.

Për më tepër Bozdag ka thënë se “MIT deri më tani ka paketuar dhe sjellur 80 pjesëtarë të FETO-s nga 18 shtete”.

Javën e kaluar policia e Kosovës në një aksion të përbashkët me AKI-në dhe inteligjencën turke, arrestoi dhe deportoi për në Turqi, pesë zyrtarë të shkollave “Mehmet Akif” dhe një mjek.

Tre liderët më të lartë të shtetit deklaruan se nuk ishin të njoftuar për operacionin. Ndërsa deri tani është shkarkuar ministri i Punëve të Brendshme Flamur Sefaj pas kërkesës së kryeministrit ndërkohë që shefi i AKI-së Driton Gashi ende nuk është larguar nga pozita edhe përkundër kërkesës së Ramush Haradinajt.

Për shkarkimin e tij duhet edhe nënshkrimi i presidentit Hashim Thaçi.

the authorE B