Sport

Zidane mohon që Reali është në krizë

Real Madridi nuk po kalon një periudhë të mirë në La Liga.

Barazimi prej 3:3 me Las Palmas ka shtuar presionin te Real Madridi, pasi që ekipi i drejtuar nga Zinedine Zidane ka humbur vendin e parë në tabelë, ndonëse ka një lojë më pak se Barcelona kryesuese.

Por francezi nuk pranon që skuadra ka krizë në lojë, por sipas tij është vetëm një moment negativ që do të kalohet shumë shpejt, transmeton KosovaPress.

“Fjala ‘krizë’ nuk ekziston për mua. Në fakt nuk duhet të ekzistojë fare në futboll”, ka deklaruar Zidane në konferencë për shtyp.

“E them këtë pasi që të jepet mundësia që çdo tre ditë të përmirësohesh. Duhet ta pranoj se nuk është momenti ynë më i mirë në këtë sezon dhe këtë e kanë dëshmuar tri apo katër xhirot e fundit”.

“Nuk duhet që të ndalemi tani, pasi që nëse duam ta fitojmë La Ligën nuk na lejohet të gabojmë më. Ne nuk kërkojmë arsyetime të tjera, përqendrohemi në forcat tona dhe e dimë se duke luftuar dhe punuar shumë do t’ia dalim në fund”, ka përfunduar Zizou.

Reali këtë javë është mysafir i Eibarit.