Anësori 20-vjeçar i Kosovës, Edon Zhegrova, beson se “Dardanët” e merituan fitoren në ndeshjen e së premtes në Podgoricë kundër Malit të Zi. Megjithatë, Zhegrova shtoi se tani është i përqendruar në ndeshjen e radhës.
Kosova u ndal me barazim 1:1 nga Mali i Zi në ndeshjen e rrethit të tretë të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, pasi dështoi t’i konkretizojë rastet e shumta në një takim që u zhvillua pa shikues në stadiumin e qytetit në Podgoricë, shkruan Gazeta Express.
Verdhekaltrit e patën epërsinë minimale falë një goli nga Milot Rashica, por nuk munden ta ruajnë atë pasi vendasit e barazuar rezultatin kur Stefan Mugosa realizoi me kokë njëzet minuta para fundit.
Zhegrova- i cili dje luajti nga minuta e 31-të të ndeshjes, pasi që e zëvendësoi Arbër Zenelin e lënduar – e ka shfrytëzuar llogarinë e tij në Instagram për ta komentuar këtë ndeshje.
“Ishin të pafat dje, por tani le të përqendrohemi në ndeshjen e radhës”, shkroi Zhegrova në gjuhën angleze në llogarinë e tij në Instagram.
Të hënën, “Dardanët” do të përballen sërish me Bullgarinë në Sofje. Nëse Kosova e fiton këtë ndeshje dhe Republika Çeke humb ndaj Malit të Zi, skuadra e Challandes do të ngrihet në pozitën e dytë.
Megjithatë, skuadra e Challandes nuk do ta ketë të lehtë ta arrijë këtë qëllim, pasi që as në “Fadil Vokrri” nuk kishte arritur të siguronte fitore kundër Bullgarisë, përkundër që e kishte dominuar ndeshjes. Rezultati përfundimtar kishte qenë 1:1 në atë ndeshje të marsit.
Bullgaria ka radhitje më të mirë sesa Mali i Zi në ranglistën e FIFA-s. Ajo radhitet në pozitën e 51-të, apo dy pozita më lart sesa malaziasit. Në anën tjetër Kosova radhitet në pozitën e 127-të.
Kosova mund ta sigurojë një vend në EURO 2020 edhe nëse nuk e zë njërën ndër dy pozitat e para në Grupin A. “Dardanët” e kanë edhe një rrugë të dytë për ta arritur qëllimin, përmes play-offs kualifikues, ku e siguroi një vend me triumfin në Grupin 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve. /Gazeta Express/