Aktuale

Zgjedhjet më 11 qershor

Kosova voton më 11 qershor. Presidenti caktoi datën e zgjedhjeve të parakohshme, pas një takimi me partitë politike.

Zëdhënësi i KQZ së Kosovës, Valmir Elezi konfirmon për KosovaPress se ky institucion ka pranuar vendimin e presidentit Thaçi se zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të mbahen më 11 qershor 2017.

Përfaqësuesit e 20 partive kërkuan këtë datë, ndërsa presidenti po konsideronte edhe 18 qershorin, në bazë të Kushtetutës së Kosovës, e cila parashikon që procesi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mbahet jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 nga shpërndarja e Kuvendit.

Në tryezën e partive munguan përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës kryeministrit në largim Isa Mustafa.

Si kryetar i kësaj partie, pak minuta para takimit të thirrur në Presidencë nga Thaçi, Mustafa postoi një mesazh në rrjetet sociale ku njoftonte mbledhjen e Kryesisë gjatë ditës.

Zyrtarë të lartë të partisë deklaruan se ndër arsyet e mungesës në tryezën e partive është fakti se nuk e njihnin për president njeriun, me të cilin në fakt 3 vjet më parë nënshkruan edhe marrëveshjen politike që bëri kryeministër Mustafën dhe parashikonte Thaçin në krye të shtetit.

Qeveria, e cila u rrëzua të mërkurën me votat e ish partisë së Thaçit e çoi vendin në një proces të parakohshëm. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar se pavarësisht vendimit të shpejtë, gjithçka është gati për procesin. Fushata e shkurtër mund të fillojë në fund të majit dhe të zgjasë 7-10 ditë. /KosovaPress/

the authorE B