Transferimi i Milot Rashicës nga Vitesse në Werder Bremen dhe ai i Florent Hasanit nga Trepça ’89 në Diosgyor kanë qenë më “bombastikët” për opinionin në Kosovë në afatin kalimtar të janarit, i cili u mbyll të mërkurën.
Klubi nga Mitrovica besohet t’i ketë fituar rreth 70 mijë euro nga transferimi i Hasanit në klubin hungarez. Ndërsa, në rast se në një të ardhme Diosgyor e shet kartonin e futbollistit vushtrrias, atëherë 30-përqindëshi i asaj shitjeje do të shkojë në xhirollogarinë bankare të Trepçës ’89, shkruan “Zëri”.
Në anën tjetër, nga shitja e kartonit të Rashicës Vitesse i ka fituar 7.5 milionë euro nga blerësi gjerman, Werder Bremen. Një përfitim ky mjaft i madh i klubit holandez, i cili e pati marrë Rashicën në vitin 2015 nga Vushtrria. Një transferim që vlerësohej i 300 mijë eurove, por që në klubin vushtrrias kishin shkuar vetëm 15 mijë euro, edhe atë në formë humanizmi. Sikurse Rashica, nga Vushtrria ka dalë edhe Florent Hasani, i cili si lojtar i Trepçës ’89 u shpall më i miri i vitit 2017 në Superligën e Kosovës.
Image
Mirëpo, prej transferimit të këtyre dy futbollistëve deri më tani klubi amë, Vushtrria, ende nuk ka fituar para. Mirëpo, ish-kampioni i Kosovës, i cili aktualisht po garon në Ligën e Parë pret që në një të ardhme ta marrë hisen që i takon. Sidomos tani kur Kosova është anëtare e UEFA-s dhe rregullat vlejnë për të gjithë njësoj.
Sipas një llogarie që e kanë bërë vushtrriasit, pritshmëria e tyre është që nga transferimi i Rashicës nga Vitesse në Werder Bremen ta marrin 3,75-përqindëshin, raporton “Zëri”. Që do të thotë se nga shitja e Rashicës në klubin gjerman prej 7.5 milionë eurosh Vushtrria t’i pretë afro 300 mijë euro, përkatësisht 281,250 euro. Së paku përqindje si kjo Vushtrria pret edhe nga çdo transferim i Florent Hasanit, duke filluar nga ky i pari prej Trepçës ’89 në Diosgyor.
Imeri: Me 63 milionë € të humbura në “Bechtel Enka” Kosova do të prodhonte shumë futbollistë të mëdhenj
Duke i përmendur rregulloret e UEFA-s dhe të FIFA-s, kryetari i Vushtrrisë Naser Imeri e arsyeton pritshmërinë e klubit të tij për përfitime nga transferimet e Milot Rashicës dhe Florent Hasanit.
Pavarësisht vështirësive të jashtëzakonshme që i ka në mbajtjen e Vushtrrisë, për të cilën thotë se duhet ndarë edhe kafshatën e gojës, Imeri ndihet krenar që i prin një klubi, i cili e quan fabrikë të futbollistëve.
“Vushtrria është fabrikë për prodhimin e lojtarëve të mëdhenj. Këtë e konfirmojnë Rashica, Hasani dhe shumë të tjerë, por kushtet ia pamundësojnë Vushtrrisë të qesë futbollistë tjerë të mëdhenj. Nuk kemi as kushte minimale infrastrukturore për të punuar me talente. Nuk na ndihmon as Federata, as Komuna, askush”, thotë për “Zërin” Imeri.
“Paramendojeni shkaku i një neglizhence të një zyrtari në Qeveri Kosova i humb në ‘Bechtel Enka’ 63 milionë euro. Paramendojeni sikur ato para të humbura të investoheshin në futboll, në infrastrukturë, sa lojtarë të mëdhenj do t’i prodhonim”, përfundoi ai.
Siç dihet Vushtrria kaherë ka nxjerrë futbollistë të mëdhenj dhe vlerësohet si një tokë pjellore e asave të futbollit.