Aktuale

Ymeri: Prishtina tregon çfarë komunash dëshiron Vetëvendosje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka deklaruar se Komunën në shumicën e rasteve e kanë lidhur me interesin privat dhe administratës së korruptuar, duke i kthyer të mirat publike në mallra tregu ku kanë qasje vetëm të pushtetshmit.

Ymeri këto komente i bëri në tryezën e organizuar nga Vetëvendosje me temë “Rëndësia e pushtetit lokal”, ku iu ka kandidatëve për kryetar të komunave nga ky subjekt, që të angazhohet për t’i bërë komunat siç është Prishtina.

“Në Komunë secili dhe gjithë bashkë i gjejmë mundësitë dhe mjetet për t’i përmbushur nevojat e tyre ekonomike, si dhe për t’i jetësuar të drejtat e tyre politike, shoqërore dhe mjedisore. Është pra vendi ku ndërtohet solidariteti dhe merren përsipër detyrat e përbashkëta. Kështu komunën ne e shohim të kundërtën e të veçantës, pra është e përbashkëta që është e kundërta e veçantës dhe partikularen, sepse si e përbashkët ajo është edhe së përgjithshmes dhe si e drejtë dhe si interes dhe e mirë për qytetarët që jetojnë në të. Rrjedhimisht komuna nuk mund të diskriminoj. E drejta për komunën shkon përtej lirisë individuale për të pasur qasje në të mirat urbane”, tha Ymeri.

Ai shtoi se nëse shikohen investimet që janë bërë në Prishtinë, investimet në shëndetësi, në krijimin e hapësirave për prodhuesit vendor, kjo tregon qartë çfarë shoqërie dhe çfarë komunash dëshiron Vetëvendosje.

“Prej vitit 2013 Prishtina iu është kthyer qytetarëve, deri në vitin 2013 njësoj e tjetërsuar si territor, si hapësirë, si pushtet dhe si administratë. Komunën në shumicën e rasteve e kanë lidhur me interesin privat dhe administratës së korruptuar. Hapësirën publike na e kanë kthyer kundër si të privatizuar ndërkohë që interesin publik na e kanë ndërmjetësuar përmes përfitimeve private. Pushteti ka marrë karakterin privat që ka lidhjet e veta gati se tregtare me qytetarët. Kjo na kthen të gjithëve nga qytetarë në klient, nga përfitues të shërbimeve në përfitues të pushtetarëve. Komuna ditëve të sotme i kthen të mirat publike në mallra tregu ku kanë qasje vetëm të pushtetshmit”, theksoi Ymeri./KosovaPress/

the authorE B