Arsene Wenger s’ka pranuar ta përjashtojë mundësinë se mund të bëhet trajneri i ri i Bayern Munichut, mes spekulimeve të shumta për karrigen e mbetur bosh të postit të trajnerit të gjigantit gjerman.
Ish-trajneri i Arsenalit, Arsene Ëenger, po konsiderohet si njëri ndër trajnerët favoritë për ta zëvendësuar Niko Kovacin, i cili u shkarkua nga posti i trajnerit të Bayernit në fundjavë.
Ralf Rangnick e ka hedhur poshtë mundësinë për të negociuar me Bayern Munichun, përderisa trajneri i Paris Saint-Germainit, Thomas Tuchel, gjithashtu ka thënë se nuk është i interesuar.
Trajneri i Ajaxit, Erik ten Hag, gjithashtu ka insistuar se ai nuk do të largohet nga klubi holandez këtë sezonm, përkundër interesimit nga Bayerni. Tani mediat gjermane sugjerojnë se Wengeri është favoriti për këtë pozitë.
Kur u pyet se a do të ishte i interesuar për postin e trajnerit të Bayern Munichut, Wengeri tha për BeIN Sports: “Natyrisht, të qenët trajner ka qenë e gjitha jeta ime deri më tani”.
“Kushdo që ka qenë trajner do ta thoshte të njëjtën gjë. Të mungon intensiteti, por disa gjëra të mungojnë edhe më shumë e disa gjëra nuk të mungojnë. Unë i shijova gjërat që tani s’më mungojnë edhe aq”.
“Por, në anën tjetër, ndeshjet e futbollit, fitoret, përgatitjet për një ndeshje dhe emocionet… Këto janë gjëra që të mungojnë shumë”. Kosova Sot