Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar mbajtjen e një tryeze për ditën e premtë, e ku aty pritet të ftohet edhe PDK’ja, të cilës vetë VV’ja ia bojkotoi një tryezë të ngjashme.
PDK’ja si parti e dytë në Kuvend, do të bëhet ‘obligim’ për VV’në që të marrë një ftesë ku flitet për proceset e rëndësishme politike në vend, shkruan gazetametro.net.
Mirëpo, edhe në njoftimin e VV’së për këtë tryezë vërehet një gjuhë e kujdesshme por që lë të kuptohet që ftesa do t’i dërgohet edhe partisë së Kadri Veselit.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! do të organizojë të premten, më 25 maj, në ambientet e Kuvendit, tryezën e titulluar “Zgjidhja nëpërmjet zgjedhjeve”, ku do jenë të ftuara subjektet politike në Kosovë”, thuhet në njoftimin e VV’së.
E se PDK’ja pritet të marrë një ftesë nga partia që më së shumti e kundërshton, e pranoi në një formë edhe zyrtarja e kësaj partie, Tinka Kurti. Ajo i tha Metros se një ftesë për PDK’në është e pashmangshme.
“Ftesat do t’i shpërndajme ditët në vazhdim. Por besoj se për PDK’në duhet po se po…”, ka thënë Kurti për Metron.
Ndërkohë, ajo nuk ka pranuar të flas rreth mundësisë për ta ftuar grupin e ri parlamentar që tani janë bërë me parti, PSD’në.
Sidoqoftë, tryeza e thirrur nga VV’ja do të mbahet ditën e premtë në ambientet e Kuvendit të Kosovës, dhe si temë do ta ketë mundësinë për zgjedhje të parakohshme.