Policia e Kosovës këto ditë ka pasur shumë punë. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, policia ka arrestuar gjithsej 30 persona për vepra të ndryshme penale, si vrasje në tentativë, detyrim në prostitucion, rrëmbim e vepra të tjera.
Policia raporton se ka arrestuar një person pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka qëlluar me armë zjarri një person tjetër. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Nga i dyshuari është konfiskuar një pistoletë e cila dyshohet të jetë përdorur në rast. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Pas hetimeve të zhvilluara me dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës mundësim ose detyrim në prostitucion, policia ka arrestuar dy meshkuj dhe një femër. Lidhur me rastin janë konfiskuar në cilësi të provave materiale edhe gjashtë telefona celularë, një shtëpizë e kompjuterit dhe 30 € para të gatshme.
Ndërkohë në Gjilan, janë arrestuar dy të dyshuar pasi të njëjtit si pasojë e një mosmarrëveshje të mëhershme kishin futur me dhunë në veturën e tyre viktimën mashkull shqiptar shtetas i Serbisë. Viktima kishte arritur që të hapte derën e veture dhe të kërcente nga vetura. Viktimës i është ofruar tretmëni mjekësor.
Poashtu në Gjilan në Lagjën e Jabuqëve, policia raporton se pesë të dyshuar pas një mosmarrëveshje verbale që kishin pasur janë përleshur fizikisht mes veti. Si pasojë e përleshjes njëri nga të dyshuarit ka pësuar lëndime trupore për çka dhe është dërguar në tretman mjekësorë. Katër të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
Një ditë më parë në Istog është gjetur e shtrirë në korridorin e një kompleksi banesor. Viktima është dërguar në emergjencën e Istogut ku nga mjekët është konstatuar se viktima është pa shenja jete. Në konsultim me prokurorin trupi i pajetë i viktimës është dërguar në obduksion.
Në një prononcim për Express, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha tha se si çdo ditë tjetër, policia ka qenë e angazhuar në realizimin e detyrave në funksion të ligjit.
“Policia e Kosovës edhe në 24 orët që po lëmë pas ka qenë e angazhuar në realizimin e detyrave dhe aturizimeve ligjorë në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë publike si dhe ka reaguar në disa raste ku ka pasur raportime për incidente të ndryshme në gjithë vendin. Njësitet policore janë në funksion të mbajtjes së rendit dhe menaxhimit të situatës së sigurisë për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe menaxhimint e kufirit si dhe kontrollin e trafikut rrugor ku sot punohet edhe me intensitet më të shtuar pas ndalimit të qarkullimit të veturave në qendër të qytetit”, tha Hoxha.
Hoxha tha se fatmirësisht ditëve të fundit nuk ka pasur aksidente me fatalitet./Gazeta Express/