Një 9 vjeçare, nxënëse e një shkolle fillore në Prishtinë, ka treguar për preokupimet e saja, përmes një letre që ajo i ka drejtuar Shpend Ahmetit, kryetarit të Prishtinës.
Morea, nxënëse e shkollës “Hasan Prishtina”, përmes letrës i ka treguar të parit të kryeqytetit për gjendjen dhe vështirësitë që përballet ajo në shkollën ku vijon mësimet, shkruan Gazeta Express.
“Sa herë kemi edukatë fizike dëgjoj gjendje të rënda. Një ditë një vajzë në klasë të shtatë ka hipur në një palë shkallë të ngjitura në mur dhe shkallët janë këputur. Vajza fatkeqësisht ka përfunduar në spital”, i shkruan Ahmetit 9 vjeçarja nga Prishtina.
Ajo, tutje i lutet kryetarit Shpend Ahmeti që në Prishtinë të mbillen më shumë pemë për të mbrojtur ambientin dhe që të ketë kontrolle në ushqimet që u servohen, pasi sipas saj janë të pakontrolluara.
“Dua që ju si kryetar i Prishtinës të merrni përsipër këtë punë”, përfundon vajza.
Letra është shpërndarë në facebook nga babai i 9 vjeçares Trim Musliu.
“Një letër , drejtuar Kryetarit te komunës Shpend Ahmeti. E shkruar nga Morea gjatê orës së mësimit”, tregoi ai.
“Mirë kish qene nëse e lexon Shpendi preokupimin e një vajze 9 vjeçare”, ka shkruar ky banor i kryeqytetit. /GazetaExpress/.