Avokati Azem Vllasi thotë të ndihet i sigurt, ndonëse ndaj tij para dhjetë ditësh është kryer një sulm nga i cili ai ka mbetur i plagosur në krah.
Edhe pse ndihet i sigurt, avokati Vllasi për Gazetën Monitor ka deklaruar se kjo çështje tashmë po del që nuk ka të bëjë vetëm me të, çka sipas tij paraqet një rast interesant për t’u hetuar.
“Unë ndihem i sigurt por kjo në aspektin më të gjerë po del që kjo çështje nuk ka të bëj vetëm me mua, po del të jetë problem më i gjerë, prandaj krejt rasti është interesant për hetime”, ka thënë Vllasi për Gazetën Monitor.
Vllasin po vazhdojnë ta kenë nën kujdes organet e rendit dhe ende te banesa e tij ka njësite të policisë që e ruajnë.
Avokati ka folur edhe për gjendjen e tij shëndetësore pas sulmit, duke thënë se aktualisht ishte tek mjeku për të bërë një kontroll. Ai ka pohuar se gjendja e tij është stabile pa probleme të veçanta dhe se njëherë nuk e ka në plan të merret me ndonjë punë.
“Mirë jam me shëndet, stabil pa probleme të posaçme. Deri në javën e ardhshme nuk e kam ndërmend të merrem me asnjë punë”, ka theksuar Vllasi.
Ndryshe avokati Azem Vllasi me 13 mars është sulmuar në banesën e tij, duke marrë kësisoj një plagë në krahun e majtë, ndërsa përgjegjësin për sulmin e ka marrë organizata “Syri i Popullit” që udhëhiqet nga Murat Jashari të cilit i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.