Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj në një prononcim për “Gazeta Blic”, ka folur për largimin e Listës Serbe nga Qeveria Haradinaj.
Gecaj ka thënë se edhe më parë LDK ka thënë që kjo qeveri ishte e varur plotësisht nga Lista Serbe.
“Ne e kishim thënë edhe më herët se kjo Qeveri ishte e varur plotësisht nga Lista Serbe”, ka thënë ai.
Ish-këshilltar i ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se veprimi i Listës Serbe do të jetë fatal për këtë qeveri.
“Derisa në Qeverinë Mustafa kjo listë “ngrihej” e “shkrihej”, ngrirja e saj e tanishme do të jetë fatale për qeverinë”, ka thënë ai.
“Ky është edhe një mësim se veprimet e ndjeshme, posaçërisht kur kemi të bëjmë me implikime politike, duhet të maten mirë e të koordinohen si brendapërbrenda spektrit tonë politik, ashtu edhe me miqtë tonë ndërkombëtar”, tha Gecaj.
Ndryshe, pasditen e djeshme në veri të Mitrovicës nga Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës, u arrestua i ashtuquajturi Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, pasi kishte hyrë ilegalisht në territorin kosovar.
Në anën tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiq me përfaqësuesit e Listës Serbe ka pasur një takim në orën 11:00, në takim mori pjesë edhe i ashtuquajturi Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Djuriç dhe Nikola Selakoviç, Sekretar i Përgjithshëm i Presidencës.
Takimi ka përfunduar në ora 12:30, ku pas këtij takimi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka bërë të ditur se kanë marrë vendim që partia e tij të largohet nga Qeveria e Kosovës dhe më 20 prill do të formojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
/Gazeta Blic.