Ky vikend do të sjellë disa ndeshje interesante në ligat më të forta evropiane, ku spikasin dy takime, Manchester United – Tottenham Hotspur, dhe Milan – Juventus.
‘Djajtë e Kuq’ gjenden në pozitën e dytë në Premier Ligë, ndërsa ‘Spurs’ gjenden në të tretën, që të dyja me nga 20 pikë të grumbulluara, dhe kjo ndeshje ka rëndësie të madhe pasi të dy skuadrat synojnë të mbesin në hap me Manchester City-n në luftë pët titull.
Në anën tjetër, lideri Manchester City udhëton te West Bromi, Chelsea udhëton te Bournemouthi, ndërsa Arsenali dhe Liverpooli luajnë në shtëpi ndaj Swansea-t, respektivisht Huddersfield-it.
Në Serie A, takohen dy ekipet më të trofeshme italiane, ku Milani e pret Juventus-in në ‘San Siro’.
Napoli e pret Sassuolo-n në ‘San Paolo’, Roma luan në shtëpi ndaj Bologna-s, ndërsa Interi udhëton te Verona.
Në xhiron e dhjetë të La Ligës, Barcelona udhëton te skuadra e papërshtatshme e Athletic Bilbao-s, Real Madridi te Girona, ndërsa Atletico Madridi e pret Villarrealin në ndeshjen më interesante të kësaj jave në Spanjë.
Dortmund udhëton te Hannoveri në kërkim të ruajtjes së vendit të parë në Bundesligë, ndërsa Bayern Munich synon të vazhdojë me fitore në ndeshjen ndaj Leipzig në ‘Allianz Arena’.
PSG e hap xhiron e 11-të të Ligue 1 ndaj Nice të premten, ndërsa Monaco udhëton të shtunën drejt Bordeaux. /