Aktuale

Vidhen objektet fetare në Viti e Gjakovë, Policia jep detaje

Në fshatin Brezne të Dragashit një person ka raportuar se shtëpia e vëllait të tij i cili jeton në shtete perëndimore, në rrethana të panjohura është përfshirë nga zjarri. Pas lokalizimit të zjarrit është vërejtur se persona të panjohur kishin hapur me forcë derën dhe dyshohet se pas vjedhjes ia kanë vënë flakën shtëpisë. Njësia përkatëse policore është duke hetuar rastin.
Gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës raporton edhe për disa vepra të ndryshme penale si dëmtim prone, vjedhje e rëndë e shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Në Prishtinë, policia ka arrestuar një person pasi që i njëjti i ka dëmtuar derën dhe dritaren e shtëpisë, pronë e ankuesit. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Policia pati punë edhe në Gjilan, ku një person ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm në Lagjen Bojanina.

Në lidhje me rastin raportohet se me 04.02.2018 njësia policore ka gjetur dhe ka konfiskuar një pistoletë me dy fishekë, e cila dyshohet që është përdorur nga i dyshuari.

Ndërkohë dy vjedhje të rënda kanë ndodhur në Viti e Gjakovë.

Në fshatin Letnicë të Vitisë një person ka raportuar se persona të panjohur kishin depërtuar me forcë brenda kishës katolike dhe nga arka kanë vjedhur një shumë parash. Njësia përkatëse policore është duke hetuar rastin.

Një vjedhje e tillë brenda objektit fetar ka ndodhur edhe në Gjakovë. Një person ka raportuar se persona të panjohur kanë depërtuar me forcë brenda objektit fetar (teqe) dhe kanë vjedhur disa instrumente muzikore të cilat shërbenin për rituale fetare. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin.

Ndërkohë, Policia e Kosovës është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për të gjitha këto raste.

Në një prononcim për Gazeta Express, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha tha se njësitet policore në vazhdimësi po punojnë për menaxhimin e situatës së sigurisë në vend.

“Situata e sigurisë në vend vlerësohet të jetë e qetë dhe stabile, përderisa njësitet policore po punojnë ne vazhdimësi ne menaxhimin e situatës së sigurisë ne gjithë vendin, mbajtjen e rendit publik, mbrojtjen e jetës se qytetareve, ruajtjen e pronës private dhe publike si dhe parandalimin dhe luftimin e veprave penale në përgjithësi. Janë shënuar incidente te llojeve te ndryshme dhe aksidente ne trafik gjate 24 orëve te kaluara te cilat raste janë menaxhuar nga Policia si dhe janë ndërmarr veprimet e nevojshme ligjore për procedim te mëtejme”, u shpreh Hoxha.

Ndërkohë, sa i përket aksidenteve në komunikacion, Hoxha bëri të ditur se gjatë 24 orëve të fundit nuk është raportuar për ndonjë me fatalitet./Gazeta Express/

the authorE B