Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur zgjedhjet e brendshme, ku nga ky proces do të dalin kandidatët për kryetar të komunave dhe kandidatët për asambleistë, për zgjedhjet komunale që do të mbahen më 22 tetor të këtij viti. Kandidatët e VV-së për kryetar të komunave, do të dihen pas përfundimit të këtij procesi.
Këtë proces në Vetëvendosje e quajtën demokratik dhe të hapur që do të mundësojë gjetjen e kandidatëve më të mirë për kryetar të komunave në zgjedhjet e sivjetme lokale.
Kryetari i komisionit qendrorë zgjedhor, Nol Nushi, ka shpjeguar procedurat, duke thënë se që nga java e ardhshme komunat mund të caktojnë datat e votimit të kandidatëve që dëshirojnë t’i hyjnë garës për të qenë kandidat për kryetar komune.
Nga ky proces i stërholluar, Nushi tha se nuk do të ketë rezultat ndryshe pos që të dalin kandidatët më të mirë për kryetar të komunave për zgjedhjet e 22 tetorit.
“Ky proces në Lëvizjen Vetëvendosje është tepër demokratik dhe tepër i veçantë, sidomos krahasuar me subjektet tjera politike në Kosovë, duke marrë parasysh që Vetëvendosje po vjen nga një fitore spektakolare në zgjedhjet parlamentare, aktiviteti i asambleistëve tanë nëpër komuna, qendrave tona, aktivistëve tonë atje ka qenë duke bërë opozitën e vazhdueshme në qeverisjen lokale dhe deri tani ata kanë arriture të identifikojnë probleme, të gjejnë zgjidhje, t’i identifikojnë persona që do të udhëheqin komunat më mirë se sa udhëhiqen sot dhe tanimë zgjedhjet e brendshme janë të hapura dhe nga java e ardhshme secila komuna ka të drejt të caktoj ditën kur do të bëhen votimet për kandidatin për kryetar të komunës”, theksoi Kurteshi.
Sipas Nushit, komisionet komunale zgjedhore i shpallin zgjedhjet në komunat përkatëse, ku secili anëtarë i VV-së ka mundësi të kandidoj për kryetar dhe asambleistë, por e gjitha do të varet nga votat e anëtarësisë së Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi theksoi se procesi i brendshëm zgjedhor do të jetë i hapur dhe demokratik, ku do t’i nënshtrohet këtij procesi secili kandidat, duke përfshirë edhe Shpend Ahmetin dhe gjithë ata kandidatë që dëshirojnë t’i hyjnë garës, edhe pse janë zgjedhur deputetë në zgjedhjet e fundit parlamentare.
“Nuk ka asnjë përjashtim, të gjithë që futën në garën e re do t’iu nënshtrohen procedurave që vlejnë për secilin kandidat, qoftë për Shpendin që është kryetar aktual, qoftë për të tjerët, do të thotë nuk ka përjashtime”, tha Kurteshi.
Ai konfirmoi se nuk do të jetë kandidat për kryetar të komunës së Gjilanit. Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 22 tetor të vitit 2017.