Aktuale

Vetëvendosje fton mërgimtarët që të votojnë në zgjedhjet lokale

Lëvizja Vetëvendosje u ka bërë thirrje mërgimtarëve, që në mënyrë masive të votojnë në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen me 22 tetor.

Kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri, në një konferencë për media tha se megjithëse mërgata kishte treguar interesim të madh për të votuar dhe në zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit, pjesëmarrja e tyre ishte tejet e ulët, për shkak të procedurave të cilat ua pamundësuan atyre realizimin e kësaj të drejte. Ymeri thotë se mërgimtarët nuk kanë mundur të votojnë për shkak të pengesave dhe vështirësive të shumta, që u janë bërë vazhdimisht në procesin e regjistrimit.

E gjithë kjo sipas tij është bërë me qëllim nga qeverisjet e njëpasnjëshme në Republikën e Kosovës pas luftës, pasi që ky pushtet sipas Ymerit i frikësohet votës së lirë të mërgimtarëve. Ai thotë se të gjitha arsyet ekzistojnë që të ketë një pjesëmarrje shumë më të madhe të mërgatës në zgjedhje, por kjo gjë po pamundësohet nga një qasje e gabuar e institucioneve.

“Me vlerësimin më të lartë për kontributin e deritashëm të mërgatës, veçmas për rolin e tyre të rëndësishëm që mund ta luajnë dhe e kanë luajtur në jetën tonë politike, zhvillimin e demokracisë dhe arritjen e një shteti siç e meritojmë të gjithë së bashku, shfrytëzoj rastin që përmes jush ta ftoj mërgatën që në mënyrë masive të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, duke i shfrytëzuar të gjitha mundësitë, për të qenë pjesë e këtyre zgjedhjeve, qoftë duke ardhur personalisht në Kosovë të votojnë, apo duke u regjistruar gjatë këtij muaji për ta fituar pastaj të drejtën për të votuar përmes postës dhe ta realizojnë këtë të drejtë. Vota e mërgatës është votë njëkohësisht të cilën pushteti i deritashëm nuk e do, se edhe është votë e lirë edhe është votë e cila as nuk mund të kushtëzohet as të blihet. Prandaj ky pushtet i frikësohet kësaj vote, sepse vjen nga një pjesë e shqiptarëve, nga një pjesë e shtetasve të Kosovës të cilët gjykimin për zhvillimet politike në vend, e kanë të pavarur dhe nuk e kanë të kushtëzuar nga interesat klienteliste të këtij pushteti në rënie e sipër”, tha ai.

Ndërkaq Adnan Rrustemi anëtar i VV së në KQZ tha se duke qenë se këto zgjedhje janë të rregullta, periudha e regjistrimit është më e gjatë dhe kjo është një mundësi më e madhe për pjesëmarrje më të madhe të mërgatës në votim. Ndërsa kërkoi nga institucionet që të mobilizohet dhe t’u ofrohet mërgimtarëve e drejta për të votuar.

“Periudha për t’u regjistruar votuesit nga mërgata ka filluar me 16 korrik dhe përfundon me 23 gusht. Gjatë periudhës së regjistrimit bashkatdhetarët mund të pajisen me formularët e regjistrimit nga faqja zyrtare e KQZ së në internet. Mund të kërkojnë formular nga ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës në vendet e tyre por dhe mund të pajisen nga shoqatat dhe organizatat e ndryshme që shërbejnë si pika shpërndarëse kudo në botë. Formularin e plotësuar së bashku me dokumentin që dëshmon shtetësinë mund ta dërgojnë në KQZ përmes e-mailit, përmes fax apo direkt përmes postës. Në funksion të pjesëmarrjes së mërgatës në zgjedhje dhe ofrimit të lehtësisë dhe informacionit të nevojshëm, unë ftoj dhe kërkoj nga institucionet shtetërore, duke filluar nga KQZ nga Ministria e Diasporës, por dhe nga ambasadat dhe konsullatat e republikës që të mobilizohen dhe të jenë në gatishmëri të plotë për t’i ofruar bashkatdhetarëve mbështetjen e nevojshme për të marrë pjesë në zgjedhjet e 22 tetorit dhe shmangien e vështirësive dhe pengesave që ndodhen gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit”, tha ai.

the authorE B