Mytaher Haskuka i Vetëvendosjes, që në rundin e balotazhit doli fitues ndaj Shaqir Totajt të PDK-së në Komunën e Prizrenit, ka pranuar se partia Lëvizja Vetëvendosje ka angazhuar individë për t’i transportuar me vetura votuesit nëpër vendvotime.
“4-5 vetura kanë qenë të angazhuara për t’i dërguar votuesit nëpër vendvotime në Komunën e Prizrenit”, ka thënë Haskuka në Interaktiv të KTV-së.
Ai ka theksuar se kanë qenë kryesisht të moshuar e të sëmurë.
Transport për votuesit Vetëvendosje ka angazhuar edhe në Prishtinë, dhe këtë e ka dokumentuar edhe Klan Kosova përmes një kronike televizive. Por për dallim nga ajo që thotë Haskuka, transporti në Prishtinë nuk është fokusuar vetëm te votuesit e moshuar dhe të sëmurë, por te të gjithë pa dallim moshe.
Në hulumtimin e publikuar nga Klan Kosova, dikush i prezantuar në emër të një iniciative qytetare i ofron gazetares transport pa e ditur se cili ishte profesioni i saj. Në këtë rast gazetarja e cila nuk ka moshë të shtyer e pranon ofertën për transport, por me qëllimin që ta demaskojë këtë veprim që ndikon në vullnetin e lirë të votuesit.