Lëvizja Vetëvendosje përmes një konference për media ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që të bëjë publike emrat e të gjithë të kompensuarve në Shipitullë, derisa ka paralajmëruar se në të kundërtën do të ndërmarrë masa komfor ligjit.
Deputetja Arbërie Nagavci tha se gjatë muajve të kaluar qytetarët anekënd komunave të Kosovës janë përballur me reduktime të rrymës dhe jo vetëm se e kanë paguar rrymën, por kanë paguar më shumë sesa që në të vërtetë kanë kushtuar shërbimet, derisa shtoi se KEDS ka vazhduar me avazin e njëjtë të reduktimeve të paarsyeshme.
Meqenëse kjo është një çështje shumë e rëndësishme, e cila e rëndon buxhetin e qytetarëve, Nagavci parashtroi pyetjet drejtuar kryeministrit Haradinaj, për të cilat tha se nëse nuk marrin përgjigje, VV do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që t’i bëjë të ditura të gjitha këto të dhëna për të gjithë qytetarët.
“Kryeministri Haradinaj e ka obligim të na njoftojë: A i njeh dhe a do t’i respektojë vendimet e vitit 2004 dhe 2009 të Qeverisë Mustafa për shpronësim, apo do të kompensojë edhe shtëpitë e ndërtuara pas vitit 2009-të, gjë që do të ngriste dyshime të bazuara në korrupsion, aq më tepër kur thuhet se vlera e shpenzimeve thuhet se ka tejkaluar shumëfish milionat e parashikuar. Nga cili vit do të bëjë ai shpronësimet, kur do të publikohet lista e plotë e të shpronësuarve dhe titulli i tyre i pronësisë, kur do ta bëjë publike listën e atyre për të cilët po kalohen paratë në llogaritë bankare edhe pse nuk kanë asnjë titull pronësie. Si dhe më e rëndësishmja, kur do të fillojë studimi për minierën e re dhe kur do të ndërtohet miniera e re. Po ashtu, kryeministri Haradinaj e ka për obligim të njoftojë qytetarët se kur planifikohet remonti i TC ‘B’”, tha ajo.
Sipas saj, kryeministri Haradnaj në interpelancën e së hënës për çështjen e qymyrit është përgjigjur në mënyrë abuzive, duke thënë se zgjidhja është kompensimi i banorëve. Derisa shtoi se arsyeja që Kosova nuk ka qymyr qëndron në faktin se miniera e re nuk është hapur.
“Haradinaj pretendonte se e zgjidhi çështjen, por as që ka filluar miniera e re, as që është siguruar qymyri për periudhën afatmesme dhe as që janë shpronësuar me drejtësi banorët e vërtetë. Por, po vazhdon planifikimi i shpronësimeve për uzurpatorët në dëm të qytetarëve të Republikës të Kosovës. Ne gjendemi në rrezik të njëjtë sikur një vit më parë, kur VV duke iu referuar njohësve të fushës, paralajmëroi për krizën që po e priste sektorin e prodhimit të energjisë elektrike. Që të vërtetojë të kundërtën, kryeministri duhet të kthejë përgjigje për të gjitha pyetjet që i parashtruam edhe sot edhe në seancën e jashtëzakonshme për këtë temë. Deri atëherë, kemi të drejtë të besojmë se kanë triumfuar sërish zaptuesit në Shipitullë, dhe importuesit aspak dashamir të energjisë elektrike”, tha ajo.
Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, importi i energjisë elektrike për vitin 2017 ka kushtuar rreth 68 milionë euro, ndërsa nga viti 2011 e deri këtë vit mbi 300 milionë euro janë shpenzuar për import të energjisë, porse situata në këtë sektor nuk është përmirësuar.
E krejt këto, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, po i hapin rrugë mafisë së energjetikës.
“Edhe pse kur u privatizua KEDS-i në mënyrë krejtësisht arbitrare, u tha se përveç tjerave kjo po bëhet që të garantohet furnizimi i pandërprerë me energji elektrike dhe se humbjet teknike dhe komerciale do të reduktohen, kjo vetëm se nuk ndodhi, por vazhduan reduktimet e rrymës dhe u rrit çmimi i energjisë elektrike. Sikurse edhe e dini, në këto 6 vitet e fundit, çmimi i energjisë elektrike sipas konsorciumit privat, është rritur 4 herë nga Zyra e Rregullatorit. Kjo me arsyetimin fals të mbulimit të kostove nga defektet e gjenerimit të energjisë. Ndërkohë nuk ka asnjë masë konkrete mbi sigurimin e prodhimit të energjisë dhe sërish importi po bëhet pa planifikim paraprak duke i hapur rrugë asaj që njihet si mafia e energjetikës”, tha Nagavci.
Krejt në fund, deputetja Arbërie Nagavci tha se Vetëvendosje i ka përgatitur edhe rekomandimet, të cilat do të shtrohen në seancën e radhës së Kuvendit të Kosovës.