Pas Mitrovicës, Kadri Veseli ka shkuar në Skenderaj. Atje ka thënë se PDK vazhdon të ketë besimin më të madh në Kosovë. ka folur fjalë të mëdha edhe për zyrtarët e partisë, duke thënë se kanë udhëhequr procese të rëndësishme në Kosovë.
Disa të rinj të Komunës së Skenderajt kanë marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Rinisë Demokratike, ku të pranishëm ishin edhe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, Zëvendëskryetari Enver Hoxhaj, Kryetari i Degës, Sami Lushtaku, Ministrat Uran Ismaili e Abelard Tahiri dhe personalitete të tjera.
Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, tha se është krenar që Dekadën e Re po e fillon në Drenicë, në vendin e zhvillimeve më të rëndësishme për të ardhmen e vendit.
“Nuk ka parti shqiptare që ka bërë më shumë për Kosovën dhe kombin shqiptar sesa Partia Demokratike e Kosovës. Njerëzit e PDK-së, jo vetëm para dhe gjatë luftës, por edhe pas saj, kanë udhëhequr proceset më të rëndësishme për krijimin dhe transformimin e Republikës së Kosovës”, tha Veseli.
Ai theksoi se kur rinia e Drenicës ka besuar dhe ka luftuar për lirinë e Kosovës, pak njerëz e kanë besuar se mund të arrihet një gjë e tillë.
Veseli tha se PDK është fituese dhe parti me besimin më të madh, sepse rolin më të madh gjithmonë ia beson rinisë.
Ai përmendi me radhë të gjitha figurat e Rinisë Demokratike ndër vite të cilat sot udhëheqin partinë dhe vendin.
Ai tha se të rinjtë do të kenë rol edhe më të madh në Dekadën e Re, për ta transformuar dhe fuqizuar PDK-në dhe Kosovën.
“Ky masivizim i rinisë që po i bashkohet PDK-së, është treguesi më i mirë se sukseset e PDK-së në reformim dhe rritje janë të garantuara”, tha Veseli.