Aktuale

Veseli në Pragë: Marrëveshja me Serbinë i siguron Kosovës vend në OKB, NATO e BE

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka mbajtur sot një fjalim në kuadër të Forum 2000 që po mbahet në Pragë të Republikës Çeke.

Siç njofton zyra për informim e Kuvendit të Kosovës, para të pranishmëve nga vende të ndryshme të botës, të shoqërisë civile dhe institucioneve, Veseli theksoi se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në shumë fusha, e po ashtu edhe në avancimin e agjendës evropiane.

Rreth dialogut me Serbinë, fazës finale të tij, kryetari Veseli shprehi vizionin e Kosovës për paqe e bashkëpunim për t’i hapur rrugë integrimeve euro-atlantike për të dyja vendet.

“Ai përsëriti se me marrëveshjen finale mes dy vendeve, Kosova do të ketë vendin e vet në OKB, NATO dhe BE, e Serbia në anën tjetër do të vazhdonte agjendën e vet evropiane. Ai foli po ashtu për luftën kundër terrorizmit, duke theksuar përpjekjet dhe rezultatet e treguara nga përkushtimi i institucioneve të Kosovës në ketë drejtim”, thuhet në njfotim.

Kryetari Veseli tha se populli në Kosovë ka ndërtuar për vite me radhë një komunikim të shëndoshë mes vete, duke mos i parë dallimet etnike e fetare si pengesë, por si vlerë e dobishme për ndërtimin e një shteti demokratik, të zhvilluar dhe për një të ardhme më të mirë.

Gjatë vizitës në Republikën e Çekisë, kryeparlamentari Veseli do të ketë takime të ndryshme, përfshirë kryetarin e Senatit çek, Milan Štěch.

=

the authorE B