Aktuale

Veseli: Kosova, shpejt do të themelojë ushtrinë bashkë me NATO-n

Kosova shumë shpejt do ta ketë ushtrinë e saj në bashkëpunim me NATO-n. ndërsa, deri në vitin 2020 synohet që Kosova të bëhet anëtare e organizatës me të fuqishme ushtarake, NATO-së.

Kështu thanë krerët e institucioneve të vendit, në konferencën ndërkombëtare “NATO dhe Ballkani Perëndimor – Dinamikat regjionale në periudhën e sfidave globale të sigurisë”, e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qendra Kosova për Studime të Sigurisë (KCSS).

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se kontributi i Kosovës për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare i kalon kufijtë e rajonit, derisa në këto pak vite të ekzistencës si shtet i pavarur dhe sovran, Kosova ka treguar përkushtim dhe efikasitet të vlerësuar, brenda Aleancës globale kundër terrorizmit dhe kërcënimeve që vijnë prej ideologjive që e ushqejnë atë.

Kreu i legjislativit, theksoi angazhimin e Kosovës për anëtarësim me të drejta të plota në NATO, derisa FSK-ja ka arritur të gjitha kapacitetet e nevojshme për të dhënë kontributin e drejtpërdrejtë si anëtare e Aleancës Veriatlantike.

“Ne synojmë të bëhemi anëtarë me të drejta të plota të Aleancës Veriatlantike, ne krenohemi me FSK-në, një organizatë e cila është duke bërë një punë të jashtëzakonshëm. Natyrisht që presim që shumë shpejt bile nuk jemi vonuar, që të bëjmë transformimin e FSK-së në ushtri të ardhshme të Kosovës. Veprimet tona do të jenë të përbashkëta, nuk do të ketë befasi, por ajo që është siguri është se Kosova do ta ketë ushtrinë e vet bashkë me partnerët e NATO-së, në ditët në vijim”, tha Veseli.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj theksoi se deri në fund të kësaj dekade do të jenë pjesë e NATO-së. Por, paraprakisht tha se Kosova ka synim të bëhet anëtare e partneritetit për paqe.

“Ne duam dhe e meritojmë të anëtarësohemi sa më shpejt në NATO, pra ne jemi në NATO. Ne duam që NATO të qëndrojë në Kosovë, ne kemi të drejt dhe po bëjmë të gjitha përpjekjet për të themeluar Forcat e Armatosura të Kosovës. Ne synojmë që brenda kësaj dekade, pra deri në vitin 2020 ta përmbyllim anëtarësimin në NATO”, theksoi Haradinaj.

Shefi i ekzekutivit, theksoi se sfidat që ata i veçojnë, siç janë ekstremizmi global, ndikimi i Rusisë në Ballkan dhe kërcënimet kibernetike.

Ndërsa, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, e quajti vlerë të shtuar për NATO-n, anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veriatlantike.

“Kosova ka nevojë për NATO-në dhe Kosova do të jetë sigurisht vlerë e shtuar e NATO-s. Ta rrumbullakësoj gjithë këtë, Kosova duhet të bëhet sa më shpejt pjesë e NATO-së, Kosova do të kompletoj atë ‘Puzzle’ sot të pakompletuar të NATO-së. Ne jetojmë në një rajon që i përket NATO-s dhe duhet ta pranojmë edhe faktin se ne duhet të jemi pjesë e NATO-s. Kjo paraqet një domosdoshmëri dhe një stabilitet të mëtutjeshëm në rajon”, u shpreh Pacolli.

Kryediplomati kosovar, shprehu po ashtu edhe zhgënjimin e tij pas një vizite që kishte zhvilluar në NATO, duke thënë se atje u prit si person, e jo si përfaqësues i shtetit të Kosovës, i cili sipas tij, tashmë ekziston dhe duhet të mësohen të gjithë me këtë realitet.

Ndihmës sekretari i përgjithshëm i NATO-së për diplomaci publike, Tacan Ildem, theksoi se NATO mbetet para se gjithash një organizatë kolektive e mbrojtjes, derisa investojnë gjithnjë e më shumë në projektimin e stabilitetit. Sipas tij, kjo bëhet thjesht për të ndihmuar fqinjët e tyre që të jenë më të sigurte, pasi kur fqinjët e tyre janë stabil, atëherë edhe ata janë të sigurt.

“Neve na intereson për stabilitetin dhe të ardhmen e begatë të të gjithë njerëzve që jetojnë këtu. Pasi që, një Ballkan stabil do të thotë një Evropë stabile…Për të dalë direkt te këto detyra kërkuese, të cilat duhet të adresohen të gjitha në të njëjtën kohë, më lejoni të ritheksoj rëndësinë e madhe që NATO i jep vazhdimit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo është kritike për paqen dhe sigurinë rajonale”, u shpreh Ildem.

Konferenca ndërkombëtare “NATO dhe Ballkani Perëndimor – Dinamikat regjionale në periudhën e sfidave globale të sigurisë”, është hapur dje, derisa do të vazhdoj sot gjatë tërë ditës me diskutimet e panelistëve. /B. Syla/

the authorE B