Sport

Veseli flet për futbollistët që e lanë Shqipërinë për Kosovën

Frederik Veseli, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, respekton vendimin e disa kuqezinjve për t’i bashkuar Kosovës.

Largimi i Milot Rashicës, Herolind Shalës, Amir Rrhmanit dhe Alban Mehës ende vazhdon të jetë temë diskutimi në Shqipëri.

Pas Migjen Bashës, edhe Frederik Veseli, Në një intervistë për “Panorama Sport”, komentoi çështjen e lojtarëve kosovarë që kanë zgjedhur Kosovën.

Mbrojtësi i ri i Empolit, respekton vendimin e Rashicës, Shalës, Rrahmanit dhe Mehës..

Për momentin, në Shqipëri dhe Kosovë është bërë çështje ndryshimi i Kombëtares për disa futbollistë. Si e komentoni zgjedhjen e bërë nga tre lojtarët që ishin në Austri dhe mbetën jashtë Europianit?

Veseli: Zgjedhja e tyre është diçka personale dhe duhet respektuar. Nuk kam se çfarë komenti të bëj. Personalisht jam gëzuar për ata sepse zgjedhjen e kanë bërë me shumë dëshirë dhe gëzim. Nuk kam ndonjë mendim të veçantë ose t’i gjykoj për këtë gjë, pasi ata kanë arsyet e tyre që mua personalisht nuk më interesojnë. Dua vetëm që t’u uroj shumë sukses. Unë jam në Kombëtaren e Shqipërisë dhe kam zgjedhur kombin tim!

Ata janë shprehur se ikin te Kosova meqenëse nuk kanë shumë hapësirë te Shqipëria. Ju nuk keni qenë një prej titullarëve të ekipit dhe a ju ka bërë kjo gjë që ta mendoni largimin?

Veseli Për mua nuk vlen kjo pyetje. Jam lojtar profesionist dhe nuk vij në Kombëtare për interes, që të jem titullar apo diçka tjetër, por vij me dëshirë të madhe. E kam zgjedhur Shqipërinë që ditën e parë dhe mendimi im shkon vetëm për të. Më lejoni që ta mbyll me kaq, pasi është një çështje shumë e thellë me çështje të tipit: Pse ka përfaqësuese të Kosovës dhe Kombëtare shqiptare, ndërkohë që mund të jenë një? E të tjera si këto. Prandaj e theksoj që Shqipërinë nuk e kam zgjedhur për kushte personale dhe për faktin që do të jem titullar apo jo. Unë luaj për Kombin tim, për ta ndihmuar atë. Normale që nëse luaj rregullisht dhe nëse arrij të jem titullar, edhe Kombi im do të ma kthejë, pasi aktivizimi me të në arenën europiane është diçka shumë e madhe. Sidomos me suksesin e Shqipërisë kohët e fundit.

Ju kanë kontaktuar nga Kosova?

 Veseli: Kam pasur kontakte përpara se të zgjedh Shqipërinë. Nuk u kam thënë kurrë jo. Nuk e refuzova Kosovën, por zgjodha Shqipërinë.